Kovaçevski: Maqedonia e Veriut tregoi se mund të marrë vendime të vështira dhe të guximshme

Bled, 28 gusht 2023 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se Bashkimi Evropian duhet të gjejë forcë dhe ta vendosë prioritet zgjerimin e BE-së.

“Jam i bindur se Maqedonia e Veriut tregoi se mund të marrë vendime të vështira dhe të guximshme dhe nga secili prej tyre dolëm si vend më i fuqishëm. Nga vendet e vjetra kandidate, jemi më të mirët në shumë aspekte në kuptim të implementimit të legjislaturës evropiane, stabilitetit mikro financiar, që u dëshmua ga BE-ja dhe instrumentet e BE-së. Për këtë shkak them se viti 2030 është i realizueshëm si qëllim”, tha Kovaçevski, në Forumin Strategjik të Bledit, në Slloveni.

Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë bërë kandidatë për anëtarësim në BE që para procesit të Selanikut në vitin 2003.

“Në atë kohë nuk ishim Maqedoni e Veriut, por Maqedoni. Mali i Zi nuk ishte i pavarur dhe Kosova nuk ishte e pavarur. Ja sa gjatë ka zgjatur procesi dhe kur thoni 50 për qind në vend janë për BE, unë do të thoja se ky është optimizëm i madh, pas 20 viteve. Ka shumë frustracion. Ka edhe hulumtime tjera të mendimit publik, të cilët thonë se 80 për qind nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë për integrim evropian dhe të orientuar proevropian, e njëkohësisht 80 për qind nga qytetarët janë kundër bllokadave të cilat vijnë një pas një. Këto bllokada vijnë nga vendet e BE-së në valë, të cilat shfrytëzohen kryesisht për politikë të tyre të brendshme, e jo për skenën ndërkombëtare”, tha ai.

Kovaçevski theksoi se anëtarësimi në BEështë alternativa e vetme për vendet nga Ballkani Perëndimor.

“Pata mundësinë t’i shoh maqedonasit e mi, të cilët jetojnë në Koper, por po ashtu vërejta se kur ecni përgjatë bregdetit, do të ndjeheni sikur të jeni në BeH, pasi të gjithë kamarierët vijnë nga BeH. Pse? Për paga më të larta. Dhe kur i pyeta si ndjeheni, më thanë se nuk mundet më keq, pasi punojnë në diell në 50 gradë. Pastaj i pashë disa studentë nga vendi yonë të cilët punojnë në kafene. E dini çka më thane? ‘Ju lutemi, bëni gjithçka që ta vendosni vendin tonë në BE! Dëshirojmë të kthehemi në shtëpi dhe të punojmë në një vend të BE-së, por në shtëpi. Jo këtu, jo në Slloveni”, u shpreh Kovaçevski.

(r.m.)