Botohet libri: “Albatare dhe Abetare” Poezi për fëmijë
Nga Gjekë Marinaj Ph.D
Duke pasë parasysh aktivitetin e pakrahasueshëm të ALBA LIFE në diasporën shqiptare të Amerikës dhe rolin e Kozeta Zylos në këtë burim të pashtershëm kulturor, menjëherë i propozova Kozetës që titulli i këtij libri të ishte: “Albatare dhe Abetare”. Albatare sepse së bashku me bashkëshortin e saj të nderuar, inxhinierin mekanik dhe për kompjuter si dhe mjeshtrin në fushën mediatike Qemal Zylo, kishin krijuar dhe po mbajnë gjallë Alba Life, një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës shqiptare në Amerikë. Dhe Abetare, sepse roli i saj si mësuese kryesore e departamentit të shkollës shqipe brenda këtij institucioni ka qenë dhe mbetet si oksigjen në frymëmarrjen kulturore të fëmijëve shqiptarë në zonën e Nju Jorkut, ku ajo jeton. Por barriera e modestisë së Kozetës, që nuk qe surprizë për mua, më dha frymëzim për një titull tjetër. Mirëpo, ngaqë me të dhe familjen e saj jemi shumë miq, përfitova nga kjo miqësi dhe insistova që libri të titullohej: Një shkronjë shtesë. Këmbëngula për vetë faktin sepse Kozeta, të paktën metaforikisht, është kthyer në shkronjën njësuese KZ (paralelisht me shkronjat Dh, Gj, Ll, Nj, Rr, Sh, Th, Xh dhe Zh.) shkronjë e munguar e alfabetit shqip të diasporës deri me ardhjen e saj në Amerikë. Edhe për këtë titull nuk i mungoi hezitimi.
Sidoqoftë u ra dakord që libri të pagëzohet me titullin “Albatare dhe Abetare”, titull që merr mjaft kuptim në këtë mision shumë vjeçar të institucionit “Alba Life” në Amerikë.
Ky libër është një sfond poetik i përshtatur me kujdes për moshat e vogla dhe të reja. Në çdo poezi duket qartë roli kolatik i poetes si sofiste në filozofi e mësuese në praktikë. Ajo i jep prioritet absolut gjuhës shqipe dhe nevojës për përvetësimin sa më të mirë të saj, duke frymëzuar rrugën e vështirë drejt këtij fenomeni si udhën drejt Afërditës apo Yllit të Mëngjesit që më parë shihet dhe shijohet dhe pastaj shfaqja e dritës bëhet e pandalshme. Kjo ndikon për mirë në aspektin psikologjik ngaqë me përvetësimin e gjuhës shqipe lexuesit e saj të vegjël, të lindur në Amerikë, bëhen menjëherë bilingual, një shtysë ky drejt mundësisë për të hyrë më parë si studentë, e pse jo më vonë si profesorë, në botën akademike. Në poezinë abetarja, këtyre cilësive ajo u vë çmim të lartë dhe i lidhë direkt me vlerat njerëzore:
Abetarja ime,
Të mbaj fort tek zemra,
Po nuk të mësova,
S’di sa do kem vlera?
Këtë tërheqje të vëmendjes Kozeta nuk e bën vetëm në rolin e poetes apo mësueses, por edhe të prindit. Në poezinë titulluar “Me Ëvetarin e Veqilharxhit” flet me përvojën e saj si nxënëse dhe e frymëzuar për të bërë atë që të tjerët, të cilët ajo i respekton, i sugjerojnë. Çdo gjë e mirë do guxim dhe me guxim dhe qëllim të mirë mund të bëhet çdo gjë:
Kur të shohësh nipi im,
Se disa nuk flasin shqip,
Merr guxim dhe bëhu trim,
Hap shumë shkolla krejt pa frikë.
Ajo jo vetëm që ka hapur shkolla, por ka hapur edhe zemrën e saj prej nëne shqiptare, shembull i nënës së dytë për fëmijët e zonës së saj. Si e tillë ka fituar besimin e fëmijëve dhe të prindërve të tyre njëherësh. E kujdesshme në çdo veprim, në çdo fjalë në poezi, në klasë dhe në jetë, ka bërë të mundur ndarjen e dashurisë njerëzore me fëmijët e saj. Them të saj, ngaqë të gjithë fëmijët që e njohin mund ta vlerësojnë si një nënë jashtë shtëpie që mundohet që ata të rriten dy herë më njerëzorë, më të respektueshëm, më të edukuar dhe të vyer për veten, familjen, dhe shoqërinë të cilës i përkasin.
Në poezinë e bukur “Fluturat” Kozeta e intensifikon rolin e poezisë dhe kuptimin e së bukurës në përditshmërinë e fëmijëve:
Në pushin e krahëve,
Ka si pluhur fosfori,
Lehtëz ndër petale,
Vallëzojnë tek oborri.
Këtë interpretim të së bukurës dhe njohjes së botës së fëmijëve e gjejmë edhe te poezia “Kukulla ime”:
Dhe kur një femijë,
Që grindet dhe qan,
Sapo i jep Barbin,
Të ka shpirt dhe xhan.
Të dyja këto poezi manifestojnë fuqinë e saj sofiste për të ndërhyrë me kujdes dhe maturi në labirintet e inteligjencës emocionale të fëmijëve. Duke i veshur me ngjyrat e larmishme të fjalës artistike, i kthen ata në një mozaik human drejt një mundësie shtegtimi për në majat e artit dhe letërsisë. Në mos gjë tjetër, poezi të tilla ngjallin dhe zhvillojnë mirënjohjen e fëmijëve ndaj këtyre fushave esenciale të jetës. Gjithmonë, me guxim pra, mund t’i frymëzojë ata që të fillojnë nga përgatitjet për të qenë poetët e ardhshëm të Kombit tonë.
Pikërisht në këto sfera të realitetit sillet edhe largpamësia e saj autoriale. Suksesi i një gjëje të tillë kërkon tamam atë që bën Kozeta për fëmijët. Ajo i njeh ata si krijesa njerëzore të veçanta dhe individuale, përpiqet t’i rrisë si të tillë, dhe frymëzon të jenë lule të bukura në kuptimin më shqiptar të fjalës. Kozeta i mban krahët e hapur për ta, u krijon një saksi të kristaltë me dashurinë e përkujdesjen e saj. Ndaj fëmijët i shohim gjithmonë t’i bëhen buqetë në krahët e saj. Me atë buqetë të bukur ajo zbukuron Amerikën dhe që andej Amerika merr aromë të mirë shqiptare.
Për të jeta në Amerike është mirënjohje e ndërsjellët herë e madhe sa një kontinent herë e vogël sa një zog:
Si gjetëm folenë
Ai cicëroi,
Në shenjë mirënjohje,
Tërë natën këndoi.
Ama, mirënjohja kërkon zemër të madhe dhe njohje të mirë të origjinës dhe vendit ku jeton. Çdo poezi e këtij libri e konfirmon këtë impuls të fortë të saj në përpjekje për ta bërë Atdheun epiqendër e dashurisë së secilit. Në disa raste ajo kërkon ndihmë tek mentorët e saj si në poezitë “At Gjergj Fishta” dhe “Fan Stelian Noli. Gjuha për bashkim e alfabet të përbashkët është sa e Kozetës aq edhe e Fishtës në këtë poezi:
Është Ati i Gjuhës Shqipe,
Në Manastir i mblodhi bashkë,
Ballë i lartë kudo i ndriste,
Me një Alfabet të përbashkët.
Ndërsa tek Noli kërkon dhe gjen lajtmotivin e guximit për të merituar bekimin e Zotit në kërkim të njohjes sa më të mirë të gjuhës shqipe.
Për këtë arsyeja është e thjeshtë. Kozeta ka besim të plotë që nëse studentët dhe lexuesit e saj të vegjël edukohen me virtytet më të larta gjuhësorë dhe kulturore shqiptare, bota do pyesin njëri-tjetrin: nga është ky apo ajo? Gjithmonë pas një vepre të mirë e kurrë pas një veprimi të keq të tyre. Në këtë frymë ajo po përgatitë fëmijët tanë në Diasporë për të përballuar me sukses sfidat e së ardhmes. Gjithmonë me shpresën që një ditë, një prej studentëve të saj të tanishëm do të zënë vendin e saj në të ardhmen duke punuar me aq ndershmëri, përqendrim, dhe dashuri njerëzore sa po punon ajo.
Me fjalë të tjera, përveç vetë fëmijëve, Albatare dhe Abetare mund të jetë nga gjërat më të domosdoshme për fëmijët tanë, në shtëpitë tona. Le ta gëzojmë dhe celebrojmë këtë përmbledhje të rëndësishme poezish për fëmijë dhe ta pranojmë, të paktën nga ana metaforike, shkronjën KZ si shkronjë shtesë në alfabetin e ndërgjegjes sonë kombëtare. Vërtetë, Kozeta, nuk është e vetmja që ka bërë gjera të mëdha për diasporën shqiptare në Amerikë, sepse shumë njerëz kanë kontribuar lartësisht në mënyra të ndryshme, shpesh edhe duke vënë në dispozicion të komunitetit paratë e tyre të fituara me mund dhe djersë. Por Kozeta Zylo ka dhënë dhe jep shpirtin dhe dijen e saj për filtrimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe në diasporë; gjë që kurrën e kurrës as nuk mund të blihet me para as nuk mund të shitet për para. Kjo është Kozeta e gjithanshme dhe ky është libri i saj largpamës. Lexim të këndshëm.
2022
Texas, Amerikë