Tiranë, 11 mars 2024 – Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi kërkesën e prokurores Antoneta Sevdari për rishikim të vendimit që e kishte shkarkuar atë nga detyra, pas verdiktit të Gjykatës së Strasburgut që e gjeti atë në shkelje të Koventës së të Drejtave të Njeriut. Me shumicë votash KPA vendosi të rishqyrtojë çështjen ndaj Sevdarit.
Pasi dëgjoi parashtrimet e palëve një seancë jashtë të zakonshmes, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të prishë vendimmarrjen e tij për shkarkimin nga detyra të prokurores Antoneta Sevdari. Vendimi i KPA, siç u njoftua nga kryesuesja e trupës, Natasha Mulaj u mor me shumicë votash.
Vendimi i KPA u mor bazuar në kërkesën e Sevdarit për rishikim, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. GJEDNJ vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”. Po ashtu, GJEDNJ rekomandoi se mënyra e duhur për rivënien në vend të drejtësisë në rastin e Sevdarit është rihapja e procesit në rrugët e brendshme.
Trupa që po e shqyrton çështjen ka kryesuese Natasha Mulaj, relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz. I pranishëm si vëzhgues ndërkombëtar ishte Ferdinando Buatier de Mongeot, i cili ka ndjekur edhe procesin e parë dhe ka kritikuar ashpër vendimin e KPA për shkarkimin e Sevdarit në vitin 2019, duke i cilësuar argumentet e sjella për shkarkim si “mutacion gjenetik” të ligjit.
Gjatë seancës, Sevdari paraqiti vendimin e GJEDNJ-së si provë në çështjen e saj dhe kërkoi specifikisht prishjen e vendimit, rigjykimin e çështjes në themel ose rihapjen e procesit. Në kërkesë Sevdari kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK, që do të thotë edhe rikthimin e saj në detyrë.
Në parashtrime, që u lexuan nga avokatja Romina Zano, Sevdari kërkoi që Kolegji të shqyrtonte vetëm sanksionin që ishte vendosur ndaj saj, sipas përcaktimeve të bëra nga GJEDNJ.
“Në këtë rast rishikimi është i veçantë, sepse ka si shkak përcaktimet e GJEDNJ-së, sipas të cilës nuk mund të ketë hetim të ri rreth fakteve, por vetëm rishikim të sanksionit të aplikuar mbi këto fakte, sanksion i cili ka rezultuar joproporcional,” tha Zano në parashtrime.
Duke iu referuar vendimit të GJEDNJ-së dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Zano parashtroi se në rastin konkret nuk mund të kishte rihetim dhe se vendimi duhej të bazohej në kërkesën për rishikim dhe konkluzionet e gjetura si shkelje nga GJEDNJ.
“Meqenëse shkaku i rishikimit nuk lidhet me nevojën e saktësimit të fakteve të reja, Kolegji duhet të pranojë kërkesën për rishikim dhe të vendosë edhe për zgjidhjen në themel të çështjes, duke vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.42 date 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sepse shkaqet që çuan në marrjen e masës disiplinore të shkarkimit, të analizuara të gjitha nga GJEDNJ, janë joproporcionale me qëllimet legjitime të procesit të rivlerësimit, për marrjen e masës disiplinore ndaj ankueses”, u tha në parashtrimet e Sevdarit.
Komisionerja Publike, Irena Nino në parashtrimet e saj ia la në dorë KPA-së vendimmarrjen, por e pyetur nga relatori i çështjes Sokol Çomo specifikisht për rishikimin Nino tha se kërkesa e Sevdarit “duhet pranuar”.
KPA vendosi të dëgjojë palët për themelin e çështjes më 17 prill 2024.
(Reporter.al)https://www.reporter.al/2024/03/11/pas-strasburgut-kpa-prish-vendimin-e-vet-te-shkarkimit-te-antoneta-sevdarit/