KPM e obligon Klan Kosovën të plotësojë dokumentacionin e biznesit brenda 30 ditësh

Prishtinë, 16 qershor 2023 – Komisioni i Pavarur për Media (KPM), i ka dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Ky vendim është marrë me votë unanime, me propozim të zyrës ligjore.

KPM-ja tha se dështimi për të vepruar në pajtim me rregulloren e shërbimeve mediale, brenda afatit të përcaktuar do të rezultojë me masa sanksionuese, sipas ligjit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës më 14 qershor ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova SHPK”.

Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

ARBK-ja në bazë të akteve ligjore ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, deri në një vendim tjetër.

KPM-ja në mbledhjen e mbajtur të premten, ka sqaruar se rregullorja e KPM-së për dhënën e licencës për shërbime mediale, kërkon që kompania private të jetë ligjërisht e regjistruar në Kosovë.

KPM-ja tha se është njoftuar nga ARBK-ja më 14 qershor 2023, se ka pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosova.

“Duke pasur parasysh se ofruesi i shërbimit medial, Klan Kosova, është licencuar nga KPM-ja mbi bazën e kësaj certifikate të biznesit, e cila vë në dilemë ligjshmërinë e këtij biznesi, rekomandon që në afat prej 30 ditëve nga pranimi i këtij vendimi të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit konform rregullores për ofruesit e shërbimeve mediave”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarura për Media.

Për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, ka pasur reagime nga organizatat e mediave vendëse dhe ndërkombëtare.

Të premten, reagime kanë ardhur edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

(REL)