KPM: “Klan Kosova” dhe “Artmotion” nuk do të mund të operonin po të mos kishin seli në Kosovë

Prishtinë, 27 korrik 2023 – Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka raportuar të enjten për Licencat dhe Digjitalizimin në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, bashkë me anëtarët e këtij rregullatori, si edhe përfaqësuesit e Agjensionit për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK) iu përgjigjën pyetjeve të shtruara nga deputetët në mbledhjen e kaluar të Kuvendit, më 4 korrik.

Ndër tjera, deputetët shtruan eedhe çështjen e pronësisë së televizionit “Klan Kosova” dhe operatorit digjital “ArtMotion”.

I pyetur nëse “Klan Kosova” ka ndonjë obligim ndaj KPM-së, Mehmeti tha se televizioni i ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe se nuk ka asnjë borxh të papaguar. Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen nëse këto dy subjekte kanë zyra (njësi) në Kosovë, Mehmeti tha se asnjë biznes, pra as “Klan Kosova” e “ArtMotion”, nuk do të mund të operonin në Kosovë po të mos kishin seli, bazë, zyrë e adresë në Republikën e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Kosovës u shqyrtuan edhe raportet e komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili u procedua për në seancë plenare me votat e anëtarëve të shumicës.

(r.m.)