Prishtinë, 22 prill 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konftoi se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, të cilat do të mbahen të dielën, me 23 prill.
“Ne si Komision i kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të organizuar zgjedhjet. Kemi të gjitha vendvotimet të cilat i kemi miratuar. Kemi vendosur kontejnerët në vendet e caktuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve nesër”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoqini, në mbledhjen e mbajtur të shtunën, më 22 prill.
Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve të katër komunave në pjesën veriore të vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.
“Në emër të KQZ-së, unë i ftoj të gjithë qytetarët e komunave të veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje dhe kështu t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe t’i ndërtojnë institucionet e tyre demokratike”, tha ai.
Votimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës, më 23 prill, do të bëhet në 19 qendra të votimit, 13 prej të cilave do të zhvillohen në kontejnerë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto komuna janë 45.095 qytetarë me të drejtë vote.
Policia e Kosovës tha se i ka marrë të gjitha masat për sigurimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor.
(r.m.)