Tiranë, 12 prill 2023 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi të mërkurën që të dërgojë në Prokurori për verifikim të thelluar një listë me 30 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë që kandidojnë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kandidatët kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit se kanë pasur masa shtrënguese në shtete të huaja.
Në listë janë 10 kandidatë për kryetarë bashkie, nga të cilët pesë të Partisë Socialiste, tre nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, një nga Partia Demokratike e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj dhe një kandidat për bashkinë Kukës, i propozuar nga “Partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë”. Pjesa tjetër i përket këshilltarëve bashkiakë të propozuar nga forca të ndryshme politike.
Mes emrave të denoncuar nga partitë rivale për probleme me ligjin e dekriminalizimit është edhe kandidati i PS-së në Mallakastër, Qerim Ismailaj, për të cilin Komisioneri pranoi kërkesën e PD-së për verifikim paraprak nga KQZ para se të vendoset dërgimi në Prokurori.
Avokati i PD-së, Indrit Sefa, kërkoi çregjistrimin e Ismailajt me vendim të Komisionerit pasi, sipas tij, është në kushtet e ndalimit për kandidim pas një dënimi të dhënë nga gjykata në shkurt të këtij viti.
“Nuk është për verifikim të thelluar, por për ndalim kandidimi,” tha Sefa.
Ismailaj u gjet fajtor për “falsifikim” pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të hershëm të tij në Greqi, ku rezulton i dënuar me tre vite burg për një sherr të dhunshëm të ndodhur në vitin 2000.
Ai u zgjodh kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
Celibashi pranoi që të shqyrtojë provat e depozituara nga PD-ja në një seancë të ardhshme, ndërsa sqaroi se në çdo rast do të jetë prokuroria ajo që do të bëjë vlerësimin nga pikëpamja penale e aktit që ka ndodhur jashtë territorit të Shqipërisë.
“Formalisht procedurën e verifikimit të të dhënave duhet ta kryejmë,” tha ai, duke sqaruar se regjistrimi i kandidatit ishte bërë nga KZAZ-ja dhe se detyra e Komisionerit ishte shqyrtimi i përputhshmërisë së kushteve të kandidimit të tij.
Për bashkinë e Mallakastrës u kërkua verifikim edhe për kandidatin kundërshtar të Ismailajt, Agron Kapllanaj nga PD. Ndërkohë, Sefa e quajti këtë verifikim të panevojshëm, pasi sipas tij Kapllanaj ishte verifikuar më parë dhe nuk ishte në kushtet e ndalimit për të kandiduar.
Përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Franci Nuri, kërkoi çregjistrimin e kandidatit të PS-së në Kuçovë, Kreshnik Hajdari me dyshimin se kishte fshehur një dënim në Greqi.
“Jemi njohur me vendimin e Gjykatës së Janinës për dënimin e tij për shkelje të kufirit, dënim që nuk është pasqyruar në formularin e dekriminalizimit,” tha Nuri.
Por sipas Celibashit, është kompetencë e prokurorisë që të bëjë verifikimin e rastit.
“KQZ nuk ka kompetencë ta bëjë këtë vlerësim, do të duhet ta bëjë Prokuroria,” tha Celibashi, edhe pse pranoi se përgjigjet e prokurorisë mund të vinin deri në 2 vite vonesë.
Në mbledhjen e së mërkurës u denoncua nga përfaqësuesi i PD-së edhe kandidati socialist për bashkinë Divjakë, Josif Gorea. Sipas Sefës, ai kishte deklaruar dënim për kontrabandë.
Komisioneri Celibashi tha se do të shqyrtohej rasti në fjalë dhe se KQZ nuk e kishte mbyllur verifikimin paraprak për të gjithë kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kandidatët për kryebashkiakë që do t’i nënshtrohen verifikimit:
Kreshnik Hajdari, kandidat për kryetar bashkie, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për Bashkinë Kuçovë.
Qerim Ismailaj, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste”, për Bashkinë Mallakastër do të verifikohet nga KQZ.
Artur Bushi, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste”, për Bashkinë Krujë.
Kristian Shkreli, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste”, për Bashkinë Vau i Dejës.
Beqir Mulaj, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste”, për Bashkinë Has.
Rezeart Tusha, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Koalicioni Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë Shijak.
Elvis Hajdërlli, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Koalicioni Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë Devoll.
Dhionisios (Alfred) Beleri, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Koalicioni Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë Himarë.
Agron Kapllanaj, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike”, për Bashkinë Mallakastër.
Abedin Oruçi, kandidat për Kryetar Bashkie i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë”, për Bashkinë Kukës.