KQZ rekomandon kandidatët për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr serbë

Prishtinë, 10 nëntor 2022 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 10 nëntor miratoi rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Deputetët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje më 7 nëntor nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Rekomandimet e kandidatëve nga KQZ-ja janë bërë pas kërkesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Kandidatët e rekomanduar nga Lista Serbe që do të zëvendësojnë deputetët e dorëhequr janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Millan Joksimoviq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Nenad Radenkoviq, Svetisllav Gjokiq, Biljana Makshiq dhe Cvetko Veljkoviq nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 ulëse.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë parasheh që në rast të lirimit të një mandati nga një deputet – për çfarëdo arsyeje, përfshirë edhe dorëheqjen – zëvendësimi i tij bëhet “nga kandidati i ligjshëm në radhë i së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave” në emër të listës me të cilën ka garuar.

Çfarë ndodh nëse këta kandidatë nuk pranojnë të bëhen deputetë?

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë deri në publikimin e këtij artikulli.

Por, ish-kryetarja e KQZ-së dhe gjyqtarja, Valdete Daka, thotë se për deputetë mund të propozohen edhe serbë që kanë garuar në zgjedhje nga subjekte të tjera politike.

“Nëse ata [kandidatët nga Lista Serbe] refuzojnë ta marrin mandatin, aplikohet e njëjta procedurë derisa të ketë kandidatë nga ai subjekt. Nëse nuk ka nga ai subjekt, atëherë kërkohen nga subjektet që kanë garuar në zgjedhjet e fundit të përgjithshme për vendet e rezervuara për etnitetin serb”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë garuar edhe dy subjekte të tjera nga komuniteti serb: Lidhja Demokratike Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Kandidatë nga e para kanë qenë: Sllavisha Petkoviq, Mihajllo Shqepanoviq, Jasmina Zdravkoviq, Srbolub Andrejeviq dhe Esada Rexhepi, ndërsa nga e dyta: Millan Dabiq, Cvetko Velkoviq dhe Rada Trajkoviq.

(REL)