Prishtinë, 23 prill 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për fillimin e procesit të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të vendit (Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se shpërndarja e materialit zgjedhor është bërë sipas planit, në përcjellje të Policisë së Kosovës, siç është praktikë për të gjitha zgjedhjet në Kosovë.
Ai ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Janë 19 qendra votimi që do të presin qytetarët me të drejtë vote, 6 janë të rregullta dhe 13 qendra janë alternative. Qytetarët me të drejtë vote në këto katër komuna është 45 mijë e 95. Ftojmë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese”, ka thënë Elezi.
Raportimet e medieve nga terreni flasin për pjesëmarrje shumë të ulët të qytetarëve në zgjedhje. Në dy orët e para të procesit në disa qendra të votimit kanë votuar vetëm disa dhjetra qytetarë.
(r.m.)