Prishtinë, 31 mars 2022 – Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, e konsideron të mbyllur nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe pozicionimit të Serbisë në krah Rusisë.
“Pas qëndrimit të Serbisë në raport me Rusinë, tregoi se iniciativa ‘Open Balkan’ është e mbyllur. Ai plan që thotë se Serbia është lider i Ballkanit në planin ekonomik dhe politik, do të duhej të mbyllet pasi Serbia u rreshtua në anën e agresorit”, ka thënë Kraja, në një intervistë për Telegrafin.
Krajaka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duhet ta kuptojë se rreshtimi në krah të Serbisë shpie në rrugë të gabuar.
“Serbia, pos mbështetjes propagandistike, merr edhe mbështetje ushtarake nga Rusia. Nuk i takon më Serbisë të luajë rolin e liderit në Ballkan. Edi Rama duhet ta kuptojë se Serbia është identifikuar si një lider që na çon në drejtim të gabuar”, ka thënë ai.
Kraja ka thënë se integrimet në rajonin e Ballkanit janë më të thella se sa lëvizja e lirë. Ai ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka “shkelmuar” parimet që shpien drejt integrimeve.
Sipas Krajës, edhe serbët vetë po e kuptojnë se Serbia kësaj radhe e zgjodhi rrugën e gabuar.
“Serbia dështoi në rimarrjen e vetes në një periudhë të ndjeshme për Ballkanin. Janë duke parë edhe vetë serbët në Serbi se kësaj radhe bënë një gabim”, ka thënë ndër të tjera Kraja.
(r.m.)