Krasniqi: Ekipi Menaxhues për Asociacionin nuk iu përgjigj ftesës për takim

Prishtinë, 27 prill 2023 – Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, tha se sipas vendimit të vitit 2020, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet t’i raportojë kësaj ministrie.

Krasniqi tha se ai ka ftuar për në një takim më 18 prill pjesëtarët e Ekipit Menaxhues, por asnjëri prej tyre nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

Para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të merrte drejtimin e ekzekutivit kosovar, kjo ministri udhëhiqej kryesisht nga serbët, që ishin pjesë e qeverive të Kosovës. Disa nga ish-ministrat ishin edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe anëtarë të tjerë të këtij subjekti – që është subjekti më i madh i serbëve në Kosovë – sikurse Ivan Todosijeviq dhe Lubomir Mariq.

Ministri Elbert Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook publikoi më 27 prill edhe vendimet e mëhershme në bazë të të cilave janë emëruar apo ndryshuar pjesëtarët e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit.

Siç tha ai, janë tri vendime të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me emërimin apo largimin e anëtarëve të Ekipit Menaxhues, që bazohen në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

“Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë [Hashim]Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë [Isa] Mustafa. Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë [Avdullah] Hoti”, shkroi ministri Krasniqi.

This image has an empty alt attribute; its file name is Vendimiper-themelimin-e-Ekipit-Menaxhues-per-Marreveshjen-Kosove-Serbi-350x400.jpg

Formimi i Ekipit Menaxhues është paraparë në Marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Ky ekip ka për qëllim të hartojë statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ekipi Menaxhues duhet të përbëhet nga përfaqësues të katër komunave në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Ministri Elbert Krasniqi tha se vetëm dy anëtarë të Ekipit Menaxhues, janë të njëjtë nga përbërja fillestare: Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

“Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijella Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues”, tha Krasniqi.

Danijella Vujiçiq është deputete e Kuvendit të Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe në pushtet. Ajo vjen nga Mitrovica e Veriut, një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Në Bruksel më 2 maj Ekipi Menaxhues do të prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më 25 prill, Kurti deklaroi se anëtarët e këtij ekipi nuk janë të njohur për publikun, ashtu siç nuk dihet as përmbajtja e statutit që ata kanë hartuar. Ai deklaroi se kishte shprehur gatishmërinë e tij që vetë të shkruante statutin për themelimin e Asociacionit, por nga BE-ja i ishte thënë se kjo është detyrë e Ekipit Menaxhues.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se statuti do të prezantohet në Bruksel nga Ekipi Menaxhues, duke shtuar se nuk ka pritje të mëdha që Kosova do ta pranojë atë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se marrëveshja e vitit 2015 mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe duhet të harmonizohet përmes akteve ligjore.

Qeveria e Kurtit ka refuzuar formimin e asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.

(REL)