Hagë, 5 prill 2023 – Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka mohuar të gjitha akuzat e Prokurorisë së Specializuar.
Në fjalën e tij hyrëse lidhur me aktakuzën ndaj tij, Krasniq ka thënë se nuk e kupton “logjikën e aktakuzës” ndaj tij. Ai ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë zëdhënës i UÇK-së është përpjekur që, përmes deklarimeve publike, të mbajë moralin e popullit për të vazhduar rezistencën.
“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë, për të mbajtur shpresë te populli”, ka thënë ai.
“Prandaj, deklaratat e mia duhet të shihen si pjesë e propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare”, ka theksuar Krasniqi.
Më tutje, ai ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë rast të vrasjes, burgosjes apo të ndonjë forme tjetër të presionit ndaj kujtdo qoftë.
“Çdo njeri që e flet të vërtetën do të thotë se unë, Jakup Krasniqi, asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje e në asnjë burgosje apo në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. E kam pasur të qartë se cilat mjete duhet të përdoren për të realizuar çlirimin kombëtar në luftën kundër atyre që ushtruan gjenocid ndaj nesh”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka theksuar se ai urren dhunën, vrasjet, burgosjet, torturat, dënimet dhe këtë, siç është shprehur, “jo pse janë ushtruar ndaj meje dhe ndaj nesh, si popull, por janë tepër të ulëta dhe çnjerëzore”.
Krasniqi e ka cilësuar absurde akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shtuar ai vetë ka qenë anëtar i kësaj partie, sikurse edhe familjarët e bashkëluftëtarët e tij.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar LDK-në. Unë vetë kam qenë anëtar i LDK-së, familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së, edhe bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë tëLDK-së”, është shprehur Krasniqi.
“Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të jem pjesë e persekutimit të familjarëve dhe të bashkëluftëtarëve të mi”, ka theksuar ai.
Edhe avokatja e tij, Venkateswari Alagendra, i ka mohuar të gjitha akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj Krasniqit. Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë dëshmi se Krasniqi ishte zëvendëskomandant i UÇK-së, siç pretendon ZPS-ja.
Avokatja Alagendra ka thënë se Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së, prandaj nuk është përfshirë në çështje operacionale ushtarake.
“Pretendimi i Prokurorisë se z. Krasniqi ishte komandant me kontroll efektiv mbi luftëtarët bie tërësisht poshtë. Ai ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe ne të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë roli ka zëdhënësi. Ata nuk përfshihen në çështje operacionale ushtarake”, është shprehur Alagendra.
Sipas saj, Krasniqi nuk do të duhej të akuzohej fare nga Gjykata Speciale dhe ZPS-ja ka dështuar të japë argumente për fajësinë e tij.
“Kam besim që gjatë gjithë këtij gjykimi ju do të shihni se prokuroria ka dështuar në përpjekjet e saj të dukshme për të provuar çështjen kundër Krasniqit, do të shikoni po ashtu se ai nuk duhet të akuzohej fare”, ka thënë ajo.
(r.m.)