Uashington, 8 prill 2023 – Dokumentet e klasifikuara që kanë të bëjnë me planet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në lidhje me luftën në Ukrainë janë shfaqur në mediat sociale, duke bërë që zyrtarët në Uashington të përpiqen t’i heqin ato nga Twitteri dhe nga platformat tjera online.
Ndërkohë, zyrtarët në Kiev paralajmëruan se dokumentet u ndryshuan nga rusët, pjesërisht për të mbuluar shkallën e humbjeve të forcave ruse dhe për të rritur numrin e ukrainasve të vrarë në luftë.
Fotografitë e dokumenteve të etiketuara “tepër sekret” dhe “sekret” u postuan në Twitter dhe në Telegram, ditët e fundit. Dosjet përfshijnë grafika dhe harta që tregojnë vendndodhjet e forcave ushtarake dhe të armatimit në Ukrainë që nga 1 marsi. Duket se ato janë shpërndarë në internet që atë ditë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e postimeve në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Një zyrtar i Pentagonit këmbënguli për Zërin e Amerikës se nuk kishte asnjë hetim zyrtar, pavarësisht njoftimeve të lajmeve për të kundërtën.
Gazeta “The New York Times” që raportoi e para për rrjedhjen e informacionit të enjten, shkroi se një grup i dytë i dokumenteve është publikuar në mediat sociale që, siç shkruan, “duket se detajojnë sekretet e sigurisë kombëtare amerikane nga Ukraina, në Lindjen e Mesme e deri në Kinë”.
Grupi i parë i dokumenteve përmban gjithashtu informacion specifik në lidhje me oraret e stërvitjes për brigadat luftarake të Ukrainës dhe nivelin e shpenzimeve për sistemin e raketave HIMARS që Shtetet e Bashkuara kanë ofruar përpara kundërofensive të pritshme pranverore të Kievit, sipas raporteve të mediave.
“Unë nuk shoh ndonjë rrezik nga publikimi i këtij informacioni, përfshirë informacionin e shtrembëruar në lidhje me planet që po zhvillon Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës,” i tha Shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit të Ukrainës. “Ato janë të parëndësishme për atë se çfarë do të funksionojë në një muaj apo në një kohë të caktuar kur këta skenarë do të zbatohen në fushën e betejës.”
Zoti Podolyak shtoi se nëse dokumentet e rrjedhura do të ishin plotësisht autentike, rusët “me siguri nuk do t’i publikonin ato. Nuk do të pretendonin se nuk i dini planet.”
Një grafik i ndryshuar rendit vdekjet ruse në 16,000 deri në 17,500, shumë më pak se vlerësimet e besueshme deri në 200,000 të vrarë, të plagosur ose të zhdukur nga analistë të shumtë.
“Shifrat e ndryshuara i ekspozojnë plotësisht shërbimet e inteligjencës ruse. Dhe kjo tregon se arsyeja kryesore për këtë është të bindte publikun rus se vetëm 17,000 ushtarë rusë kanë vdikur,” tha Andrey Piontkovsky, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Rusisë Moderne, me seli në Nju Jork.
“Ky është një operacion propagandistik i projektuar kryesisht për opinionin publik rus,” i tha zoti Piontkovsky Shërbimit Rus të Zërit të Amerikës të premten, duke shtuar se ajo që është publikuar nuk përmban “asnjë informacion të detajuar të dëmshëm ushtarak”.
Disa blogerë ushtarakë rusë po drejtojnë gishtin në drejtimin tjetër, duke pohuar se dokumentet u zbuluan nga inteligjenca perëndimore për të mashtruar komandantët rusë përpara kundërsulmit të ardhshëm nga ukrainasit.
Një paralajmërim i tillë u postua në Telegram nga llogaria e Zonës Gri, e cila është e lidhur me forcën paraushtarake private ruse të njohur si Grupi Wagner.
Më shumë se 30 nga dokumentet u shfaqën fillimisht në një server të rrjetit Discord më 1 dhe 2 mars, sipas Aric Toler, një studiues në Bellingcat, një grup inteligjence për kontrollin e fakteve dhe burimeve të hapura me bazë në Holandë. Discord është një shërbim popullor i komunikimit me zë, video dhe tekst me bazë në San Françisko.
“Ato janë fotografuar nga kopje të shtypura”, siç mund të shihet dora e një personi në foto, tha zoti Toler për Zërin e Amerikës të premten.
Deri më 5 mars, pasi ato u përhapën në serverë të tjerë Discord dhe në tabelën anonime të buletinit në internet 4chan, një dokument i rregulluar dhe të tjerë me sa duket të pandryshuara u postuan në kanalet ruse të Telegramit, sipas zotit Toler.
Zyrtarët e qeverisë amerikane kanë kërkuar që kompanitë e mediave sociale të fshijnë postimet, megjithëse nuk dihet se kur u informuan për herë të parë për rrjedhjen e informacionit. Nuk dihet gjithashtu se sa të suksesshëm kanë qenë ata në fshirjen e dokumenteve apo se si rrjeti Twitter iu përgjigj kërkesës.
Një pyetje e dërguar me e-mail nga Zëri i Amerikës të premten në platformën e mediave sociale shkaktoi një ragim të automatizuar pa përgjigje nga rrjeti Twitter.
Një numër i dokumenteve ishin ende të dukshme në Twitter që nga e premtja pasdite, me disa që grumbulluan qindra mijëra shikime.
(Zëri i Amerikës)