Kremlini: Putin e Vuçiq do të bisedojnë edhe për Kosovën

Moskë, 24 nëntor 2021 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen nesër, më 25 nëntor, në Soçi të Rusisë.

Në një komunikatë të Kremlinit thuhet se Putin e Vuçiq do të bisedojnë nesër edhe mbi gjasat për zgjidhjen e “krizës” në Kosovë.

“Është planifikuar që të diskutohet për çështje të rëndësishme të partneritetit strategjik në sferën e politikës, tregtisë, ekonomisë, kulturës e veprimtarive humanitare dhe të shkëmbehen pikëpamje mbi situatën në Ballkan, përfshirë edhe gjasat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, thuhet në komunikatën e transmetuar nga agjencia ruse e lajmeve TASS.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Putin e Vuçiq do të diskutojnë për çështje ndërkombëtare, për luftën kundër COVID-19, për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për çmimin e gazit për Serbinë.

Peskov ka thënë se këto “do të jenë bisedime shumë të rëndësishme me një aleat dhe mik të Rusisë”.

(r.m.)