Moskë, 10 korrik 2023 – Kremlini njoftoi sot se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u takua me udhëheqësin e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin disa ditë pas rebelimit të armatosur të kryemercenarit dhe luftëtarëve të tij.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se takimi u zhvillua në Kremlin në 29 qershor, pra 5 ditë pas rebelimit. Në bisedime merrnin pjesë edhe komandantë të grupit ushtarak privat të themeluar nga Prigozhini.
Mercenarët e grupit Wagner luftuan bashkë me trupat ruse në Ukrainë, por kreu i grupit, Prigozhin shprehu në mënyrë të vazhdueshme pakënaqësi ndaj udhëheqjes ushtarake ruse, pakënaqësi që kulmuan me revoltën e armatosur të 24 qeshorit ndaj Kremlinit. Revolta mori fund pas një marrëveshjeje sipas së cilës ai duhej të largohej në Bjellorusi.
Takimi ballë për ballë me Presidentin Putin, i cili e ka cilësuar udheqësin e grupit Wagner si tradhëtar, shton edhe më tej paqartësitë lidhur me të. Fati dhe vendndodhja e tij nuk janë bërë të ditur që prej revoltës së dështuar të armatosur, e cila dobësoi ndjeshëm autoritetin e presidentit të Rusisë.
Zëdhënësi Peskov tha se gjatë takimit të 29 qershorit, Putini bëri një “analizë” të veprimeve të grupit Wagner gjatë luftimeve në Ukrainë si edhe të “ngjarjeve” të 25 qershorit.
Sipas zëdhënësit, presidentit rus “dëgjoi edhe shpjegimet e komandantëve dhe u ofroi alternativat për punësimim në të ardhmen si edhe mundësitë për angazhim në luftime”.
“Nga ana e tyre, komandantët dhanë variantin e tyre mbi ngjarjet. Ata nënvizuan se janë mbështetës besnikë dhe ushtarë të kreut të shtetit dhe komandantit të përgjithshëm dhe thanë gjithashtu se janë të gatshëm të vazhdojnë të luftojnë për atdheun e tyre”, tha zëdhënësi Peskov.
Sipas zëdhënësit, në takim morën pjesë 35 persona.
Po të hënën, ministria e Mbrojtjes së Rusisë bëri publike edhe një video ku për herë që nga rebelimi i dështuar, shfaqej shefi i shtabit të forcave të armatosura, gjenerali Valery Gerasimo.
Gjatë rebelimit udhëheqësi mercenar Yevgeny Prigozhin kërkoi largimin e tij, ndërsa më herët e kishte kritikuar atë dhe ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu se kishin dështuar të furnizonim me municione luftëtarët e Wagnerit në luftimet në Ukraine.
Njoftimet e së hënës duket se paraqesin një përpjekje të Moskës të kontrolluar informacionet që shpërndahen te opinioni publik, në një përiudhë të turbullt.
(Zëri i Amerikës)