Moskë, 18 nëntor 2024 – Kremlini tha të hënën se çdo vendim i Shteteve të Bashkuara për të lejuar Ukrainën të hedh raketa amerikane në thellësi të territorit rus, do të thotë se ajo është e përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, të cilin, sipas Kremlinit, administrata e Presidentit Joe Biden po e përshkallëzon.
Rusia i ka thënë Perëndimit prej muajsh se si do ta interpretonte një vendim të tillë dhe se ai do të rriste rrezikun e një konfrontimi me aleancën e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja.
I pyetur rreth raportimeve të New York Times dhe Reuters se administrata e zotit Biden ka vendosur t’i heq Ukrainës kufizimet për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, vuri në dukje se raportet nuk bazoheshin në ndonjë deklaratë zyrtare.
“Nëse një vendim i tillë është formuluar dhe dërguar regjimit të Kievit, atëherë ky është një raund i ri tensioni dhe një situatë cilësisht e re nga pikëpamja e përfshirjes së SHBA-së në këtë konflikt”, tha zëdhënësi Peskov.
Presidenti Vladimir Putin e bëri absolutisht të qartë pozicionin e Rusisë kur foli në Shën Petersburg në shtator, tha ai.
Presidenti rus Putin tha më 12 shtator se miratimi perëndimor për një hap të tillë do të nënkuptonte “përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në luftën në Ukrainë”, sepse infrastruktura ushtarake dhe personeli i NATO-s do të duhej të përfshihej në shënjestrimin dhe hedhjen e raketave.
“Është e qartë se administrata në largim në Uashington synon të ndërmarrë hapa për të vazhduar t’i hedhë benzinë zjarrit dhe të vazhdojë të provokojë tension rreth këtij konflikti”, tha zëdhënësi Peskov.
Agjencia Reuters raportoi vendimin e administratës Biden të dielën, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe një burim të njohur me vendimin. New York Times raportoi gjithashtu për vendimin.
Burimet e cituara në raportime e paraqitën vendimin pjesërisht si përgjigje ndaj mbërritjes së raportuar të ushtarëve të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë për të ndihmuar në zmbrapsjen e një sulmi ukrainas.
Një zyrtar rus i afërt me Kremlinin, i cili foli me kushtin që të mos i përmendej emri, tha se vendimi amerikan, nëse konfirmohej, do të ishte jashtëzakonisht provokues për një administratë në largim, por nuk do të ndryshonte rezultatin e luftës.
“Administrata e zotit Biden po përpiqet të përshkallëzojë situatën në maksimum, ndërsa ende e ka pushtetin dhe është ende në detyrë,” tha ligjvënësja ruse, Maria Butina.
“Unë kam një shpresë të madhe që (Donald) Trump do ta tejkalojë këtë vendim, nëse është marrë, sepse ata po rrezikojnë seriozisht fillimin e Luftës së Tretë Botërore, gjë që nuk është në interesin e askujt”, tha ajo.
Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar vazhdimisht se Perëndimi po luan me zjarrin duke sprovuar kufijtë e asaj që një fuqi bërthamore mund ose nuk mund të tolerojë.
Presidenti Putin e ka ndryshuar doktrinën bërthamore të Rusisë për të thënë se çdo sulm konvencional ndaj Rusisë i ndihmuar nga një fuqi bërthamore, mund të konsiderohet si një sulm i përbashkët ndaj Rusisë.
Në fund të tetorit, Presidenti Putin tha se ministria e tij e Mbrojtjes po punonte në mënyra të ndryshme për t’u përgjigjur nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s e ndihmojnë Ukrainën të godas thellë në territorin rus me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi.
(Zëri i Amerikës)