Krerët e shtetit të Kosovës biseduan me ambasadorët e QUINT-it për anëtarësimin e Kosovës në KE

Prishtinë, 3 prill 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, u takuan të mërkurën pasdite me ambadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Presidenca e Kosovës, në një njoftim të shkurtër në Facebook, njoftoi se temë e takimit ishte synimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE), por nuk dha hollësi për përmbajtjen e bisedimeve.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në muajin prill. Nëse ajo voton pro pranimit, fjalën përfundimtare do ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës, në muajin maj.

Beogradi reagoi ashpër pas miratimit të rekomandimit të raportueses Bakojanis nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se reagimi i Serbisë do të jetë “i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm” nëse Kosova pranohet në këtë organizatë.

(r.m.)