Krerët e shtetit të Kosovës diskutojnë për temat aktuale në politikën e jashtme

Prishtinë, 13 qershor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takimin e rregullt koordinues për politikë të jashtme me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendës-kryeministren, Donika Gërvalla.

Kabineti i Presidentes Osmani njofton se në këtë takim është diskutuar për mbarëvajtjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për koordinimin e veprimeve me shtetet mike dhe për zhvillimet e fundit lidhur me dialogun me Serbinë.

Në njoftim nuk jepen detaje për temat që janë diskutuar në këtë takim.

Javët e fundit, udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës kanë pasur një axhendë të ngjeshur në planin e politikës së Jashtme. Ata kanë patur takime të shumta dypalëshe dhe kanë marrë pjesë në forume e tubime të rëndësishme ndërkombëtare në Evropë e SHBA.

Kryetema të bisedave me zyrtarë e diplomatë të huaj kanë qenë kërkesat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

(r.m.)