Prishtinë, 13 prill 2024 – Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë nuk ka ende informacione se nga cilët operatorë furnizohet “Elektroseveri” për shpërndarjen e energjisë elektrike në veri të Kosovës, thotë Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së, për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, kjo kompani, e cila është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, është duke i respektuar ligjet e Kosovës, thekson ai.
Nga qershori i vitit 2022, “Elektroseveri” ka marrë licencën nga ZRRE-ja për furnizimin me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – dhe për faturimin e qytetarëve atje.
Këta të fundit, që nga paslufta, nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar. Për një kohë, ajo u është faturuar qytetarëve të pjesëve të tjera të Kosovës, e pastaj institucioneve.
“Elektroseveri” ka filluar shpërndarjen e faturave në veri nga fundi i shkurtit.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Fejzullahu, kompania “Elektrosever” ka filluar tashmë operimin në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. A keni informata se nga cilët operatorë energjetikë furnizohet kjo kompani?
Ymer Fejzullahu: Siç e dini, “Elektroseveri” është licencuar nga ana e ZRRE-së si furnizues komercial dhe, si i tillë, ka të drejtë t’i furnizojë këta konsumatorë përmes çmimeve të tregut me shumicë.
Meqenëse është i derregulluar, kudo që e gjen energjinë ekonomikisht më të favorshme, ai ka të drejtë ta blejë sasinë e nevojshme dhe t’i furnizojë konsumatorët me çmime të parregulluara.
Për momentin, nuk e di ende se ku furnizohet me shumicë.
Mirëpo, duhet theksuar se “Elektroseveri” e ka obligim që t’i paguajë tarifat e shfrytëzimit të rrjetit për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, (KOSTT), dhe për Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
Ndërsa, tarifat me pakicë që i paguajnë konsumatorët, ai [“Elektroseveri”], sipas licencës, ka të drejtë t’i përcaktojë me çmime të tregut, apo të propozojë çmime që konsideron se janë të arsyeshme.
Por, siç e kemi theksuar edhe në licencë, në rast se kemi çrregullim të tregut të energjisë, ZRRE-ja e ka për obligim të reagojë.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ZRRE-ja nuk i përcakton tarifat e energjisë elektrike për kompaninë Elektrosever, sikurse për operatorët tjerë energjetikë në Kosovë?
Ymer Fejzullahu: ZRRE-ja edhe për konsumatorët e veriut i ka përcaktuar tarifat. Ata konsumatorë kanë të drejtë të furnizohen përmes KESCO-s.
Por, ata që furnizohen përmes “Elektroseverit”, furnizohen me çmime të tregut dhe nuk janë të përcaktuara nga ana e ZRRE-së.
Të gjithë konsumatorët në Kosovë, shtëpiakë dhe bizneset – që kanë më pak se 10 milionë euro qarkullim dhe më pak se 50 punëtorë – kanë të drejtë të furnizohen me tarifa të rregulluara nga ana e ZRRE-së; në këtë rast kanë të drejtë të furnizohen me tarifa që janë të përcaktuara për KESCO-n.
Sa për informacion, tarifat e propozuara nga “Elektroseveri” janë pothuajse të përafërta me tarifat e përcaktuara nga ZRRE-ja, edhe si strukturë, edhe si çmim.
“Elektroseveri” edhe në katër komunat [me shumicë serbe në veri] ka propozuar tarifën me blloqe për konsumatorët shtëpiakë, siç e kemi vendosur edhe ne për pjesën tjetër të konsumatorëve.
Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i konsumatorëve që kanë nënshkruar kontrata për njehsorë rryme në katër komunat në veri?
Ymer Fejzullahu: Sipas informatave të para një jave, deri 25% e konsumatorëve kanë pranuar të nënshkruajnë kontrata [me “Elektroseverin”]. Kjo përqindje ndryshon çdo ditë, pasi kemi kërkesa të reja për nënshkrim të kontratave.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë hezitim te qytetarët për të nënshkruar kontratë, rrjedhimisht për të paguar për energjinë e shpenzuar?
Ymer Fejzullahu: Është e vërtetë se shumë konsumatorë janë duke hezituar, por mendoj se trendi është i kënaqshëm.
Duke pasur parasysh që ata nuk kanë paguar që nga paslufta për energjinë elektrike, është një trend pozitiv, dhe shpresoj që brenda një periudhe të shkurtër, edhe konsumatorë të tjerë të nënshkruajnë kontrata me “Elektroseverin”.
Radio Evropa e Lirë: Është ende një periudhë e shkurtër e operimit të “Elektroseveri”t në veri të Kosovës, por, gjatë kësaj kohe, a janë respektuar ligjet e Kosovës, ashtu siç parasheh licenca e lëshuar nga institucioni që udhëhiqni ju?
Ymer Fejzullahu: Deri më tash, “Elektroseveri” i ka nënshkruar të gjitha kontratat sipas legjislacionit në fuqi me KOSTT-in dhe KEDS-in. Përafërsisht janë tri-katër kontrata me KOSTT-in dhe dy marrëveshje me KEDS-in dhe ato i ka respektuar.
E ka dorëzuar për rishikim në ZRRE edhe draft-kontratën që lidhet me konsumatorët. Ne e kemi dhënë një lloj pëlqimi, konfirmimi, se kjo kontratë i përmban të gjitha dispozitat sipas legjislacionit në fuqi. Nuk e kemi obligim aprovimin e kontratave me furnizues komercialë, mirëpo e monitorojmë se a u përmbahet të gjitha dispozitave sipas legjislacionit në fuqi.
Radio Evropa e Lirë: Thatë më herët se ZRRE-ja do të reagojë nëse, eventualisht, ka çrregullim të tregut. Si mund të çrregullohet tregu energjetik?
Ymer Fejzullahu: Realisht, ato janë detaje, por ne e dimë që ka mundësi që të ketë shtrembërim të tregut, në qoftë se ai [“Elektroseveri”] ofron energji me tarifa të larta, por edhe me çmime shumë të ulëta.
Meqenëse është faza fillestare e operimit të tij, ZRRE-ja është duke i marrë të dhënat nga terreni, por, sipas informatave të deritashme, nuk ka indikacione [për çrregullim tregu].
Radio Evropa e Lirë: Në bazë të licencës së lëshuar nga ZRRE-ja, “Elektroseveri” është përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorëve, duke bërë adresimin e ankesave të mundshme, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. A është rregulluar kjo çështje?
Ymer Fejzullahu: Sa i përket numrit të punëtorëve dhe çështjeve të tjera, ato ende nuk janë të finalizuara. Ai [“Elektroseveri”] është duke punuar në atë drejtim, por edhe në çështjet që kanë të bëjnë me ankesat e konsumatorëve.
Në rast se konsumatorët e katër komunave nuk marrin përgjigje nga ana e “Elektroseveri”t pas ankesave të tyre, ata duhet t’i drejtohen ZRRE-së. Mirëpo, duhet të bëhet e qartë: vetëm konsumatorët që kanë nënshkruar kontratë.
Së pari duhet të nënshkruajnë kontratë me “Elektroseverin”, e pastaj lind e drejta për t’u ankuar në ZRRE.
Edhe në rast se kanë ndonjë ankesë lidhur me kontratën e propozuar, ata duhet t’i drejtohen ZRRE-së, meqenëse ZRRE-ja e ka Departamentin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe do t’i trajtojë të gjitha çështjet sipas legjislacionit në fuqi.
Rreth “Elektroseverit”
Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike nga Serbia, Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës. Ajo buron nga marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Elektrosever dhe KEDS (Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë), kanë nënshkruar një kontratë komerciale për energjinë në fund të vitit të kaluar.
Më pas, operatori i sistemit, transmisionit dhe tregut të Kosovës (KOSTT), në fillim të këtij viti ka njoftuar se në katër komuna në veri të Kosovës ka filluar regjistrimi i energjisë elektrike të konsumuar, duke theksuar se energjia elektrike do të paguhet njëjtë si në komunat në jug të lumit Ibër.
Në faqen e internetit të kompanisë Elektrosever thuhet se, në bazë të licencës së marrë në Kosovë, ka të drejtë të blejë dhe shesë energji në tregun e energjisë elektrike, t’u rishesë kompanive të tjera të licencuara të energjisë elektrike, si dhe ta importojë dhe eksportojë atë.