Kreu i IAEA i viziton zonat bërthamore nëntokësore të Iranit

Teheran, 15 nëntor 2024 – Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, i ka vizituar objektet kryesore në nëntokë të Iranit për pasurimin e uraniumit, Fordoë dhe Natany, raportuan mediat shtetërore iraniane të premten.

Ato nuk dhanë më shumë hollësi rreth vizitës së tij në këto zona.

Irani i ka kufizuar inspektimet në zonat e veta bërthamore dhe ua ka ndaluar disa inspektorëve të IAEA-s hyrjen në objektet për pasurim të uraniumit.

Grossi ndodhet në Iran në përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatik, ku paralajmëroi ditë më parë se “hapësira për negociata… po zvogëlohen” për programin e avancuar bërthamor të Iranit.

Teherani ngul këmbë se synimet e saj bërthamore janë “paqësore”.

Vizita e Grossit u zhvillua në prag të takimit të bordit të IAEA-s, ku disa vende pritet të kërkojnë reagim ndaj Republikës Islamike.

Vizita e Grossit në Iran u zhvillua një javë pasi Donald Trump i fitoi zgjedhjet në SHBA, i cili gjatë mandatit të parë në vitin 2018 e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore që Irani arriti me fuqitë botërore më 2015, dhe rivendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike.

Kjo marrëveshje parashihte frenimin e programit bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe pakti synonte që të parandalonte Iranin nga posedimi i armëve bërthamore.

Pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, Irani e zgjeroi programin e tij bërthamor dhe kufizoi inspektimet e Agjencisë të udhëhequr nga Grossi në uzinat bërthamore.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur shqetësimin e tyre se Teherani ka shkelur kufizimet e vendosura në marrëveshje sa i përket pasurimit të uraniumit, duke e pasuruar uraniumin deri në 60 për qind. Për armë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar prej 90 për qind.

(Radio Evropa e Lirë)