Beograd 14 dhjetor 2024 – Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, e ka përcjellë solidarizimin e studentëve të Fakultetit Teologjik Ortodoks me studentët e Universitetit të Beogradit që po e bojkotojnë mësimin.
Porfirije e ka publikuar fjalën e përfaqësuesit të studentëve të Fakultetit Teologjik Ortodoks në plenumin e studentët e Universitetit të Beogradit, ku u bëhet thirrje autoriteteve të Serbisë që të plotësojnë kërkesat e studentëve të Universitetit të Beogradit.
“Bëjmë thirrje për paqe dhe për përmbushjen e kërkesave të plenumit të studentëve të Universitetit të Beogradit,”, thuhet në thirrje.
Një ditë më parë, në plenumin e studentëve të Fakultetit Teologjik Ortodoks ishte votuar që studentët e këtij fakulteti t’i bashkohen bojkotit të mësimit në Universitetin e Beogradit derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
“Plenumi i studentëve të Fakultetit Teologjik Ortodoks vendosi të mblidhet dhe të mbështesë publikisht kolegët tanë në mënyrën më paqësore të mundshme, duke iu bashkuar bojkotimit të mësimit deri në plotësimin e kërkesave të Plenumit të studentëve të universitetit”, thuhet në adresimin e përfaqësueasit të studentëve të Fakultetit Teologjik Ortodoks.
Në përfundim të adresimit thuhet se studentët e këtij fakulteti po i ndjekin me shqetësim zhvillimet e fundit në Serbi.
Kisha Ortodokse Serbe dhe kreu i saj, Porfirije, deri më sot kanë qenë frymëzues të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe mbështetës të përpjekjeve për zgjerimin e kontrollit në vendet fqinje -në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Bojkoti i mësimit nga studentët e Universitetit të Beogradit është pjesë e protestës së qytetarëve të Serbisë lidhur me tragjedinë në stacionin e trenit në Novi Sad. Në protestat e mbajtura në Novi Sad, në Beograd dhe në disa qytete të tjera të Serbisë kërkohet dorëheqja e kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe nxjerrja para drejtësisë e përgjegjësve për cilësinë e dobët të punimeve në rinovimin e ndërtesës së stacionit.
Protestuesit i akuzojnë autoritetet e Serbisë se cilësia e dobët e punimeve është pasojë e korrupcionit. Kryeministrit Vuçeviq ka qenë kryetar i Novi Sadit në kohën e kryerjes së punimeve.
(r.m.)