Kreu i OSBE-së: Erdha në Kosovë të marr informata të dorës së parë për reformat

Prishtinë, 15 korrik 2022 – Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Zbigniew Rau, i cili është kryesues i radhës i OSBE-së, ka thënë se qëllim i vizitës së tij në Kosovë ishte të informohej për reformat në drejtësi, për luftën kundër korrupsionit, për lirin e medies dhe për reformimin e sistemit elektoral.

“Qëllimi i vizitës sime ka qenë të takohem me liderë institucionalë, partnerë të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të marrë informata të dorës së parë për sa i përket reformave në vijimësi e sipër në fushën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, rritjes së lirisë së mediave dhe avancimit të reformës zgjedhore, shumë të nevojshme”, ka thënë z. Rau, pas takimitme  udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Ai ka thënë se me përfaqësuesit e këtyre institucioneve ka diskutuar edhe për ndihmën që mund të afrojë OSBE-ja për Kosovën.

“Kemi diskutuar për mënyra të ndryshme në të cilat OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në terren, pranisë së saj në terren. OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike. Shpresoj sinqerisht që kjo do të kontribuojë në stabilitetin dhe pajtimin në Evropën Juglindore”, ka thënë z. Rau, në një adresim për media në Prishtinë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Zbigniew Rau, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka takuar Presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

Z. Rau ka takuar edhe kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

(r.m.)