Tiranë, 30 mars 2021 – Në Shqipëri, një program i posaçëm, i quajtur Autokorrektori i gjuhës shqipe, synon të ndihmojë individët, institucionet por dhe kompanitë, për të përdorur gjuhën standarte në të shkruar. Nismëtari i këtij projekti të zhvilluar në një hark të gjatë kohor, disa vjeçar, pedogogu universitar Leonard Boduri, shpjegon për Zërin e Amerikës se programi, i cili përmban 75 mijë fjalë, lejon jo thjesht korrigjime të gabimeve drejtshkrimore, por dhe të atyre gramatikore.
Në fakultet, ai ofron leksione të financës, por gati 8 vjet më parë, me disa bashkëpunëtorë të tij, zoti Leonard Boduri, do t’i jepte jetë një projekti tejet sfidues, krijimit të një programi që do t’i shërbente shkrimit korrekt dhe sipas normës standarte, të gjuhës shqipe. “Kam hasur vetë probleme, kur ne bëjmë artikuj shkencor, apo shkrime të tjera, për të shkruar sipas normës standarte, që në fakt është kërkesë për çdo shkrim akademik. Duke qenë se nuk ekzistonte, mendova se mund ta nisja si projekt me ndonjë bashkëpunëtor. Kjo kërkoi shumë kohë dhe qëllimi nuk ka qenë kurrë,që në fillim, që të bëja një format drejtshkrimor, por një autokorrektor”, tregon ai për Zërin e Amerikës.
Ndërsa gjuha shqipe, ndodhet nën sulmet e përhershme të anashkalimit jo vetëm të standartit drejtshkrimor, por të rrezikut që shkronja të veçanta të saj si “ë”-ja apo “ç”-ja, të shkojnë drejt zhdukjes në të shkruar, edhe në dokumentet zyrtare, zoti Boduri shpjegon se programi i zhvilluar nuk bën thjesht korrigjimet drejtshkrimore, por ofron ndërkohë edhe sinonime e antonime, duke ndihmuar të shmanget përdorimi i fjalëve të huaja. “Pra është një autokorrektor gramatikor. Kjo është dhe risia e produktit, çka nënkupton që bën lidhjet mes fjalëve në një fjali, pra jo thjesht kontroll nëse ekziston si fjalë, por si janë të lidhura fjalët me njëra-tjetrën. Mund të sjell një shembull. Fjala “përgjigjja”, shkruhet shpesh pa “j” në fund. Por pa “j” në fund është folje, “u përgjigja”. Autokorrektori të jep mesazhin se kjo është një folje me zgjedhim të pasaktë dhe të jep mundësinë që ti të zgjedhësh një fjalë tjetër, ose të vendosësh pjesëzën ”u”, përpara. Pra nuk të lejon të gabosh në aspektin gramatikor”.
Për ta çuar përpara këtë projekt atij i është dashur të bashkëpunojë si me gjuhëtarë ashtu dhe me informaticienë. “Ka patur një numër prej 3-4 gjuhëtarësh, flas për gjuhëtarë me tituj, nga të cilët do të veçoja profesor Tomorr Plangaricën, i cili ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme dhe prandaj po e veçoj nga të tjerët. Në aspektin e zhvillimit informatik, është një numër i madh punonjësish të cilët i kanë lënë stafetën njëri tjetrit sipas problematikave që kanë dalë”, tregon zoti Boduri.
Autokorrektori i gjuhës shqipe mund të përdoret përmes internetit. Zoti Boduri thotë se përdoruesit e mundshëm që duan të shfrytëzojnë këtë program, janë të ndarë në tre kategori. “Ata që kanë një punë deri dy faqe korrigjim në ditë, që nuk është një punë profesionisti, do ta kenë falas, mjaft të rregjistrohen. Një limit ditor deri 10 mijë karaktere, mund ta korrigjojnë pa pagesë. Këtu futen, sidomos studentët”, shpjegon ai. Ndërsa për profesionistë apo institucione e kompani, programi do të ofrohet kundrejt pagesës.
Zoti Boduri tregon se nga kontaktet e tij paraprake ka hasur në një interesim të veçantë nga institucionet në Kosovë, në të kundërt të asaj që ka vërejtur në Shqipëri.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)