Nga Ruben Avxhiu
Në Batajnicë, në rrethinat e Beogradit, gati 20 vjet më parë u gjendën tri varre masive, me trupat e gati 800 shqiptarëve të Kosovës.
Serbia i kishte vjedhur trupat e viktimave të saj dhe i kishte transportuar deri në kryeqytetin e saj për t’ia fshehur krimin historisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Jo vetëm që shoqëria serbe nuk reagoi sa duhet e si duhet pas zbulimit të këtyre varreve me viktima e saj, por nacionalistët serbë vazhdojnë të kujisin e të hiqen si viktima të ngjarjeve të viteve 1990.
Sot, në vendin ku u zbuluan civilët e vrarë të hedhur si plehra, po ndërtohet një kishë ortodokse. Në vend të një memoriali që dënon krimet e të kaluarës, si ndodh në të gjitha vendet e civilizuara që mësojnë nga historia, tregojnë përgjegjësi dhe premtojnë se nuk do të ketë kthim te e kaluara, Serbia ka vendosur të ndërtojë një kishë.
Në fakt, nuk do të ishte hera e parë që Kisha Ortodokse Serbe përdoret si mburojë e justifikim për krimet kundër njerëzimit të shtetit serb. Nëse ka ndonjë përdhosje më të turpshme të figurës së Krishtit dhe krishtërimit është kjo praktikë serbe.
Që nga incidentet e turpshme të bekimit të armëve të paraushtarakëve e kriminelëve serbë nga priftërinj ortodoksë, por sidomos nga miti nacionalist mesjetar që justifikon e glorifikon krimet e luftës, e ushqen me ideologji të marrosur nacionaliste fetare breza të njëpasnjëshëm serbësh, kjo ideologji që pjell kisha serbe është e ngajshme vetëm me vizionet mesjetare të çakërdisura të ISIS, Shtetit të dështuar Islamik të Sirisë dhe Irakut. Ajo nuk ka treguar kurrë pendesë e përgjegjësi pas një dekade krimesh të turpshme kundër njerëzimit.
Me kartën e opozitës së shkurtër ndaj regjimit të Millosheviqit, kur e pa që fundi i tij ishte i pashmangshëm dhe se u bë tepër i fuqishëm për ta ndikuar si kujtoi fillimisht, e kënaqur nga kleriko-nacionalizmi i tërbuar në radhët të ashtuquajturve “demokratëve” serbë, si dhe me justifikimin e strehimit të disa shqiptarëve të mjerë të mbetur të dëbuar e mbetur pa shtëpi prej forcave serbe në 1999, (ndonëse pa dënuar kurrë publikisht dëbimin masiv dhe krimet kundër njerëzimit), Kisha serbe ia ka dalë të hiqet si e pafajshme e papërlyqer nga gjithshka që ndodhi.
Në vend që të shihet si zanafilla e të gjitha krimeve, ajo shihet gati si viktimë e tyre, duke u hequr, me shumë sukses, si kalimtare e rastit në konfliktet e gjakderdhjet e tmerrshme të dedadës së fundit të shekullit 20.
Me këtë sukses, kërkon jo me përulësi e mirënjohjes zbatimin e vendimeve gjyqësore për manastirin e Deçanit, por me arrogancën e ideologut të krimit që ka dalë pa u lagur e madje përfiton nga koha e ndryshimeve. Me këtë sukses, kërkon të ligjërojë sarkofagun e ndërtuar në zemër të Universitetit të Prishtinës nga diktatori që gjoja e luftonte Sllobodan Millosheviqi, kryekriminelin e luftës, të cilin si do ta tregojë historia, Kisha Serbe do ta shpallë Shenjtor, kur të jetë politikisht e leverdisshme e do ta nderojë me të njëjtin pasion që bën sikur e dënon sot. Ashtu si dikur e harroi dhe mohoi Carin Lazar për të përfituar nga Perandoria e Otomane e pastaj kur filluan të ndryshojnë konjukturat e ripërqafoi si shenjt.
Sot, kur Kosova dhe Serbia janë nën presion për të krijuar një marrëdhënie normale (një lloj fantazie nëse njëra nuk e njeh tjetrën si shtet të pavarur e të barabartë), një nga pengesat më të mëdha mbetet Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka një interes të fortë politik dhe ekonomik, që konflikti të vazhdojë dhe që urrejtja të trashëgohet në breza të ardhshëm.