Moskë, 17 prill 2023 – Gazetari Vladimir Kara-Murza, shtetas ruso-britanik dhe kritik i zëshëm i Kremlinit, u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe vepra të tjera.
Gjykata e Qytetit të Moskës shpalli të hënën vendimin për akuzat, të cilat vetë Kara-Murza i mohon.
Verdikti vjen pas më shumë se një viti prej se Kara-Murza është arrestuar nën akuzat për përhapje të “informacioneve të rreme” për forcat e armatosura të Rusisë.
Është ky një nga dënimet më të ashpra të një rusi, i cili është shprehur kundër luftës së Kremlinit në Ukrainë.
Qeveria britanike dënoi menjëherë verdiktin dhe dënimin, duke thënë se rasti kundër 41-vjeçarit, baba i tre fëmijëve, është “i motivuar politikisht”.
“Vladimir Kara-Murza ka dënuar me guxim pushtimin rus të Ukrainës për atë që është – një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së”, thuhet në deklaratën e Qeverisë britanike.
“Mungesa e angazhimit të Rusisë për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes, është alarmante”, thuhet po ashtu në deklaratë.
Kara-Murza, kundërshtar i zëshëm i Qeverisë aktuale ruse, tha se është burgosur për pikëpamjet e tij politike, që janë kundër luftës në Ukrainë dhe kundër “diktaturës së presidentit rus, Vladimir Putin”.
“Jo vetëm që nuk pendohem për asnjë nga këto, por jam krenar për të gjitha”, tha ai, duke shtuar se mezi pret një ditë “kur ata që e ndezën këtë luftë, dhe jo ata që u përpoqën ta ndalin atë, të jenë të njohur si kriminelë”.
Rusia ka miratuar një ligj që kriminalizon përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë e saj, menjëherë pasi ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022.
Kara-Murza është i fundit në mesin e disa aktivistëve të opozitës, reporterëve dhe të tjerëve që janë arrestuar dhe ndjekur penalisht në bazë të këtij ligji.
(REL)