Kroacia i shpall “non grata” tri figura të rëndësishme politike në Mal të Zi

Zagreb, 25 korrik 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar sot Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se Zagrebi ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.

Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.

Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.

Zagrebi tha se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u tha në njoftim.

Sipas Ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian.

Kroacia tha se e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE.

“Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, u tha në njoftim.

Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.

Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.

Hyrja në ekzekutiv e Frontit Demokratik dhe të Partisë së Boshnjakëve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u prit me shqetësim, pasi Uashingtoni tha vuri në pah se në ekzekutiv kanë hyrë parti që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Politika e Frontit Demokratik është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi nuk ka komentuar ende për vendimin e autoriteteve kroate për tre politikanët e Malit të Zi. Reagime ende nuk ka as nga Mandiq, Beçiq dhe Knezheviq.

Shpallja e tre politikanëve si të padëshiruar vjen pasi, me iniciativën e Andrija Mandiqit dhe Milan Knezheviqit, më 28 qershor shumica parlamentare në Mal të Zi miratoi Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac.

Jasenovaci – 70 km në lindje të kryeqytetit të Kroacisë, Zagreb – është i njohur për vrasjet masive të hebrenjve, serbëve, romëve dhe kroatëve antifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vlerësimet e numrit të të vrarëve atje ndryshojnë, por historianët e pavarur thonë se ai sillet midis 80.000 dhe 100.000.

Qeveria kroate i konsideron ngjarjet atje si krim të Luftës së Dytë Botërore.

Para miratimit të kësaj rezolute, Kroacia i dërgoi një notë proteste Malit të Zi. Përkundër kësaj, rezoluta u miratua në Kuvend me mbështetjen e një deputeti të Evropa Tani, të Millojko Spajiqit.

Përveç partive të koalicionit prorus të Mandiqit dhe Knezheviqit, rezoluta u mbështet nga demokratët e Alekse Beçiqit dhe Partia Popullore Socialiste proserbe.

Në ditën kur u miratua rezoluta në Mal të Zi, Kroacia tha se ky veprim nuk i kontribuon ndërtimit të një kulture të përkujtimit, por se është “instrumentalizim i viktimave të Jasenovacit” për qëllime të politikës ditore.

Rezoluta për Jasenovacin ishte një përgjigje politike e forcave proserbe në Mal të Zi ndaj mbështetjes së Qeverisë malazeze për rezolutën e Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u miratua në fund të majit.

Rezolutën për Srebrenicën u kundërshtua nga zyrtarët proserbë të Malit të Zi, përfshirë edhe nga kryetari i Parlamentit, Andrija Mandiq.

(Radio Evropa e Lirë)