Kryediplomatja japoneze në Prishtinë: Paqja dhe stabiliteti – vendimtare për Evropën

Prishtinë, 19 korrik 2024 – Ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, ka thënë të premten në Prishtinë se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare për Evropën. Ajo ka thënë se vizita e saj në Ballkanin Perëndimor, pra edhe në Kosovë, është pikërisht në funksion të forcimit të paqes dhe stabilitetit.

Shefja e diplomacisë japoneze i ka bërë këto komente gjatë takimeve me Kryeministrin e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe ndihmën e Japonisë për Kosovën, e ka vlerësuar rolin e saj në botë si edhe në rajonin e Ballkanit.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe për mundësitë e investimeve të kompanive japoneze në Kosovë, veçanërisht në sektorin e energjisë së ripërtrishme dhe në infrastrukturën hekurudhore.

Ndër të tjera, siç thuhet në njoftim, Kurti e ka veçuar kompaninë japoneze “Harino Mushroom”, e cila është një nga fermat më të madhe të kërpudhave shiitake në Evropë. Ai e ka cilësuar atë si cilësuar si “histori suksesi”, si “shembull të mjedisit të përshtatshëm të të bërit biznes në Kosovë” si edhe si “thirrje për kompanitë tjera japoneze që ta konsiderojnë Kosovën si vend atraktiv dhe të sigurt për investime”.

Gjatë takimit është biseduar edhe për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Kryeministri Kurti dhe ministrja Kamikawa gjithashtu diskutuan rreth çështjeve rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, në kuadër të së cilit kryeministri Kurti tha se është arritur Marrëveshja Bazike, por e cila nga fillimi dhe në vazhdimësi është shkelur në mënyrë të hapur nga Serbia. Gjithashtu, biseduan mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në garantimin e paqes dhe sigurisë, dhe në shërbim të zhvillimit dhe progresit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.

Vizita e ministres Kamikawa në Kosovë realizohet në 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës e Japonisë. Shefja e diplomacisë japoneze ka thënë se ky vit jubilar i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve do të shënohet me ngjarje të ndryshme kulturore, të cilat do të organizohen nga Ambasada e Japonisë në Prishtinë.

Ministrja e jashtme e Japonisë është takuar në Prishtinë edhe me homologen e saj kosovare, Donika Gërvalla. Kjo e fundit, në një postim në rrjetet sociale, e ka cilësuar si vizitë “historike” vizitën e min istres Kamikawa në Kosovë, e cila, sië është shprehur, “shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve”.

Japonia e mbështet zhvillimin e Kosovës në shumë fusha, përfshirë zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

(r.m.)