Tiranë, 22 tetor 2024 – Mopnika Kryemadhi, ish bashkëshortja e ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, I hodhi poshtë akuzat e SPAK-ut, në bazë të të cilave asaj iu caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje në polici.
SPAK-u vendosi arrest në burg për Ilir Metën, detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin, arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitje për Ema Çokun, të cilët dyshohen për veprat penale “korrupsion pasiv”, “mosdeklarim dhe fshehje e pasurisë” dhe “pastrim i parave”.
Zonja Kryemadhi, e cila është deputete e Kuvendit të Shqipërisë, e cilësoi procesin e SPAK-it si proces politik, ndërsa vendimin e gjykatës e cilësoi si dokument “me shumë pasaktësi, gënjeshtra dhe përsëritje” në 167 faqe, ndërsa i ka dorëzuar prokurorit të çështjes mbi 5 mijë faqe dokumenta me ekspertizë financiare nga viti 1995 e në vazhdim mbi familjen e saj dhe rreth 3 mijë faqe për nënën e saj.
Megjithatë, ajo deklaroi se do ta zbatojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, do të respektojë drejtësinë gjatë përballjes, ndërsa ajo bashkë me avokatët do të ndjekin çështjen me detaje të hollësishme.
“Jam e indinjuar nga deklarata e djeshme e SPAK-ut, ku u shkel edhe ligji sa i takon sekretit hetimor. Pafytyrësia më e madhe e asaj deklarate të djeshme tregon haptas që kanë qëllim dhe më vjen shumë keq, që kjo gjë kalon cakun e komunikimit normal timin me të gjithë ata që bëhen palë e kësaj farse imorale në marrëdhënie me familjen time”, tha Kryemadhi.
Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj tha se akuzat ndaj z. Meta janë të pabazuara dhe se arrestimi i zotit Meta ëshë bërë për qëllime politike.
“Pas leximit të vendimit ju bëj me dije se nuk flitet për asnjë provë. Qëllimi i izolimit të tij është politik. Zoti Meta është pjesë e opozitës, e cila sot është nën një sulm të padrejtë jojuridik, politik, nëpërmjet instrumentave të agjencive ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Zero prova”, tha avokati Gjokutaj.
(r.m.)