Tiranë, 17 dhjetor 2021 – Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, vijon denoncimet mbi aferën e inceneratorëve, duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si ideatorin dhe zbatuesin e kësaj “skeme korruptive”.
Përmes një postimi në “Facebook”, shoqëruar me dokumente, Kryemadhi thekson se presin me padurim “goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal të veshur me kostum zyrtar”.
“Ja ku është koka e grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama”.
Postimi i Kryemadhit:
Çfarë hetimi kërkohet më, kur është me firmë dhe me vulë?
Qytetarët presin me padurim goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal të veshur me kostum zyrtar. Ja ku është koka e grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, me vasalin e tij, Erion Veliaj.
Edi Rama, si ideator i skemës së inceneratorëve dhe zbatues i saj, këtë radhë ka firmat mbi vendimet që i kanë dhënë jetë skemave.
Ndërsa Erion Veliaj firmos me urdhër të Ramës. Ku e gjen të drejtën, që në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, neni 54/dh, të marrë atributet e Këshillit Bashkiak? Ai ka grabitur duke lidhur taksat e qytetarëve, për 30 vjet me inceneratorin e Tiranës, me një vlerë në total 91,784,500 Euro pa Tvsh.
Jam e bindur se zbatimi i ligjit dhe leximi objektiv i provave nga ana e institucioneve të drejtësisë, do të mundësojë, që nga zyrat e shtetit, një e nga një, anëtarët e bandës famoze të inceneratorëve të përballen dhe të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.
(BalkanWeb)