Kiev, 16 mars 2022 – Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë zhvilluan një takim me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në Kiev të martën, në shenjë mbështetjeje për vendin e sulmuar nga Rusia edhe pse bombardimet janë afruar pranë qendrës së qytetit.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, shkroi në median sociale mbrëmjen e së martës se ai, Zëvendëskryeministri Jaroslaw Kaczynski dhe liderët çekë dhe sllovenë ishin në Kiev.
“Këtu, në Kievin e shkatërruar nga lufta, po shkruhet historia. Pikërisht këtu, liria lufton kundër botës së tiranisë. Këtu, e ardhmja e të gjithë neve varet në balancë”, shkroi zoti Morawiecki në rrjetin Twitter.
Kjo simbolizon mbështetjen e fortë për Ukrainën, ndërsa udhëtimi i gjatë me tren nga Polonia në Kiev dërgoi mesazhin se pjesa më e madhe e vendit ende mbetet në duart e Ukrainës.
Presidenti Zelenskyy postoi një video në Facebook ku shihet i ulur rreth një tavoline me udhëheqësit dhe disa zyrtarë të tjerë duke i informuar ata për zhvillimet e luftës. Ai shprehu mirënjohje për vizitën e tyre, duke e quajtur atë një “dëshmi të fuqishme mbështetjeje”.
Udhëheqësit e Polonisë, së bashku me Kryeministrin Petr Fiala të Republikës Çeke dhe Kryeministrin Janez Jansha të Sllovenisë, thanë se ishin në një mision të BE-së. Por zyrtarët nga blloku 27 anëtarësh këmbëngulën se treshja e kishte ndërmarrë udhëtimin në mënyrë të pavarur.
(Zëri i Amerikës)