Londër,7 korrik 2022 – Kryeministri Boris Johnson dha dorëheqje të enjten, duke i dhënë fund një krize të pashembullt politike që paralizoi qeverinë britanike.
Kryeministri Johnson që hodhi poshtë thirrjet e kabinetit të tij për të dhënë dorëheqjen pas skandaleve të fundit, u dorëzua pasi më shumë se 50 zyrtarë u larguan nga qeveria e tij duke i kërkuar dorëheqjen.
“Qartazi është vullnet i Partisë Konservatore të ketë një udhëheqës të ri të asaj partie dhe për rrjedhojë një kryeministër të ri dhe unë kam rënë dakord me Sir Graham Bradyn, udhëheqësin e deputetëve tanë, që procesi i zgjedhjes së udhëheqësit të ri duhet të fillojë tani dhe afati do të shpallet javën e ardhshme. Sot kam emëruar një kabinet për të shërbyer, siç do të bëj edhe unë, derisa të zgjidhet udhëheqësi i ri”, tha zoti Johnson në një paraqitje të shkurtër para gazetarëve, duke mos pranuar pyetje.
Boris Johnson, 58 vjeç, u bë i njohur për aftësinë e tij për t’iu shmangur vështirësive. Ai mbeti në pushtet pavarësisht pretendimeve se ishte shumë i afërt me donatorët e partisë, se mbronte mbështetësit nga akuzat për korrupsion se mashtroi parlamentin dhe nuk e tha të vërtetën për shkeljen e rregullave gjatë pandemisë së COVID-19.
Por gjetjet e fundit se zoti Johnson kishte dijeni për akuzat për sjellje të pahijshme seksuale ndaj ligjvënësit konservator Chris Pincher, kur e emëroi në një post të lart të lartë, u vunë kapakun të gjithave.
(Zëri i Amerikës)