Kiev, 9 prill 2022 – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u takua me kryeministrin britanik Boris Johnson në Kiev të shtunën, thanë zyrtarët ukrainas dhe ata britanikë.
Vizita e zotit Johnson filloi me një takim kokë më kokë me zotin Zelenskiy, tha në Facebook Andriy Sybiha, zëvendës shefi i stafit i zyrës së presidentit të Ukrainës.
Kryeministri Johnson u takua me zotin Zelenskiy “në një shfaqje solidariteti me popullin ukrainas,” tha një zëdhënës i qeverisë britanike.
“Ata do të diskutojnë për mbështetjen afatgjatë të Britanisë për Ukrainën dhe kryeministri do të ofrojë një paketë të re ndihme financiare dhe ushtarake”, tha zëdhënësi.
Vizita e zotit Johnson në kryeqytetin ukrainas nuk ishte njoftuar paraprakisht.
“Britania do të dërgojë më shumë armë mbrojtëse në Ukrainë dhe do të punojë me partnerët e G7 për të vënë në shënjestër çdo shtyllë të ekonomisë ruse për të bërë të mundur dështimin e Putinit”, shkruante kryeministri Johnson në Twitter më herët të shtunën.
(Zëri i Amerikës)