Londër, 24 shkurt 2022 – Kryeministri britanik Boris Johnson tha se synon ta përjashtojë Rusinë nga tregjet financiare të Britanisë, ndërsa njoftoi sanksione të reja në përgjigje të sulmit që urdhëroi Presidenti rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të të gjitha bankave kryesore ruse, përfshirë bankën e dytë më të madhe ruse VTB, tha zoti Johnson të enjten. Britania gjithashtu do t’ua ndalojë kompanive ruse dhe qeverisë ruse të ngrenë fonde në tregjet britanike.
Britania do të bllokojë eksportet drejt Rusisë të një game të gjerë produktesh të teknologjisë së lartë, dhe do të ndalojë uljen e avionëve të kompanisë ruse Aeroflot në aeroportet britanike.
Sanksionet e reja vijnë pak ditë pasi zoti Johnson u kritikua më herët këtë javë për reagimin më të kujdesshëm se ç’duhej ndaj agresionit rus.
Në një fjalim drejtuar vendit mbasditen e të martës, zoti Johnson kishte premtuar vendosjen e sanksioneve të reja për shkak të sulmit të gjerë rus ndaj Ukrainës.
Britania thotë se po i koordinon sanksionet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, por të dyja këto të fundit morën këtë javë masa më të ashpra se Britania.
Ambasadori i Ukrainës në Britani, Vadym Prystaiko, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të bllokojnë tregtinë e karburantit dhe gazit rus, dhe të ndalin investimet e huaja në këtë vend.
(Zëri i Amerikës)