Tiranë, 22 dhjetor 2022 – Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, vizitoi të enjten Himarën, Livadhjanë dhe Derviçanin, në jug të Shqipërisë, ku jetojnë pjesëtarë të minoritetit grek. Kjo është vizita e parë e një kryeministri grek në këtë zone, ku u prit ngrohtësisht nga banorët.
Në ndalesën e pare, në Himarë, Mitsotakis kujtoi vizitën e parë të një kryeministri grek në Shqipëri, babait të tij, Konstantinos Mitsotakis, në vitin 1991, dhe shfaqi kënaqësinë që ai është kryeministri i i parë grek që e viziton Himarën.
Mitsotakis tha se i mbështet kërkesat e drejta të minoritet grek në Shqipëri, të cilin e quajti urë të miqësisë mes dy vendeve.
“Unë ende e kujtoj vizitën qe kreu në këto toka ish kryeministri Kostantinos Mitsotakis, im atë në vitin 1991. Është privilegj për mua të jem kryeministri i parë grek që viziton Himarën. Dua t’ju falënderoj dhe vlerësoj që mbajtët në kohë të vështira pishtarin e dashurisë për atdheun dhe ortodoksinë në zemrat tuaja. Duhet te dini se tek unë minoriteti etnik grek në Shqipëri nuk do ketë vetëm një mik, por edhe një mbështetës të kërkesave tuaja te drejta. Ju që zgjodhët të jetoni në Himarë jeni një urë lidhëse të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë”, tha kryeministri grek.
Mitsotakis tha se ai do të jetë mbështetës i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria duhet t’i respektojë të drejtat e minoritetit grek.
“Dua të dini se unë isha, jam dhe do jem mbështetës i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Detyrim i Shqipërisë është që të respektoj të drejtat tuaja të plota – të drejtën që fëmijët tuaj dhe nipërit të mësojnë greqisht, siç po e bëni, apo edhe të drejtën e pasurisë. Dhe besoj se të gjitha këto do zgjidhen dhe ua garantoj unë personalisht. Qeveria greke është pranë jush dhe do ta bëjë këtë” tha ai.
Gjatë vizitës në Dropull dhe në Derviçan, kryeministri i Greqisë u shoqërua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se sheshi i këtij qytetthi do të pagëzohet me emrin e Kontantinos mitsotakis, babait të kryeministrit actual, Kyriakos Mitsotakis.
“Sheshi do të mbajë emrin Kostantin, në nderim të babait të kryeministrit Mitsotakis. Do t’i vendosim edhe bustin në shesh, për ta nderuar”, tha ai.
Rama, duke iu drejtuar z. Mitsotakis, tha se ai dhe minoriteti grek e konsiderojnë si vëlla.
“Të konsiderojmë mik dhe vëlla këtu në tokën tonë”, u shpreh Rama.
Ndërsa mitsotakis kujtoi çfarë i kishte thënë babai i tij, Konstantinos Mitsotakis, pas kthimit nga vizita në Shqipëri, në vitin 1991.
‘Nuk mund të harroj faktin se këtu erdhi babi im, pak para se të shembej regjimi komunist në Shqipëri. Asokohe babai im tha: ‘minoriteti grek është urë miqësie midis dy vendeve’. E njëjta gjë vlen edhe tani. Me Ramën kemi bashkëpunim të ngushtë. Ne mund të zgjidhim bashkë çështjet në çdo fushë”, tha kryeministri grek.
Gjatë vizitës në Livadhja, kryeministri grek iu drejtua mbi 300 grekëve etnikë. Ai tha se është optimist për nënshkrimin e një marrëveshjeje për caktimin e një Zone Ekonomike Ekskluzive me Shqipërinë, duke theksuar se kjo është mënyra e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Një ditë më parë, në Shqipëri ishte ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias. Ai zhvilloi bisedime me kryeministrin Rama dhe me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka.
Dendias tha se Shqipëria “ka zgjedhur të bëjë atë që është e vetëkuptueshme, të zë vend në familjen evropiane dhe ne grekët besojmë se ky është vendi i saj”, tha ai.
(r.m.)