Nga Keze Kozeta Zylo
Në Li Greci’s Staaten Restaurant, Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazovic u takua me Diasporën Shqiptare Amerikane në Staten Island, NY. Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazovic është shqiptari i parë që arriti ne këtë detyre të lartë shtetërore.
Kryeministri shoqërohej nga z. Fatmir Gjeka, Ministër i të Drejtave të Minoriteteve në Mal të Zi, z. Ilir Harasani Sekretar i Përgjithshëm i Malit të Zi, z. Djordje Radulovic, Këshilltar i Kryeministrit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ish Ministër i Punëve të Jashtme, z. Ivo Soc këshilltar ligjor dhe znj. Ana Rasoviq, shefe e kabinetit.
Në presidium ishin dhe Dr. Bari Ceka i cili u mirëprit disa herë me duartrokitje për shërbimet mjekësore që iu ka dhënë familjeve shqiptare në Diasorë dhe Mëmëdhe si dhe gazetari dhe analisti i njohur nga Tirana z. Mentor Nazarko.
Ky takim u organizua nga Shoqata “Ulqini” me kryetar z.Xhemo Lanica. Z. Lanica i uroi mirëseardhjen Kryeministrit të Malit të Zi z.Dritan Abazovic dhe shprehu krenarinë që këtë takim e organizonte Shoqata “Ulqini” në bashkëpunim me shoqatat e tjera.
Salla ishte mbushur plot e përplot me pjesëmarrës nga Diaspora Shqiptaro Amerikane nga Mali i Zi, kryetar të shoqatave, aktivistë nga Ana e Malit. , Plava – Guci, Ulqini, Kraja etj. Ardhja e Kryeministrit të Malit të Zi shqiptarit Dritan Abazovic u mirëprit me duartrokitje të pandërprera, cka tregonte për krenarinë që ndjejnë shqiptarët për kryeministrin më të ri në Ballkan. Të pranishëm ne kete aktivitet ishin kongresmenja znj. Nicole Malliotakis, këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut z. David Carr, kandidati për Senat z. Joseph Tirone, kandidati për në Asamblenë ne shtetin e Nju Jorkut z. Sam Pirozzolo.
Aktiviteti u moderua nga zonjusha Arta Qyqalla.
Kryeministri foli për punët e mëdha që e presin përpara, vizionin që ka për të ardhmen e Malit të Zi dhe njëkohësisht suksesin që ka për luftën kundër korrupsionit që ka kapluar këtë shtet.
Kryeministri Abazovic vlerësoi lart rolin e Diasporës Shqiptaro Amerikane dhe tha se ajo ka pasur një rol kyc në proceset e zhvillimit të Kombit tonë. Ai premtoi se do të luftojë për ta integruar Malin e Zi në Bashkimin Europian si dhe do të bëjë përpjekje për t’u siguruar popullit një të ardhme më të mirë se në të kaluarën.
Këshilltari i Bashkise se Nju Jorkut z. David Carr vlerësoi me çertificatë mirënjohjeje Kryeministrin Abazovic. Me çertificatë mirënjohje u vlerësua dhe nga kongresistja znj. Nicole Malliotakis dhe nga z.Xhemo Lanica në emër të shoqatës “Ulqini”.
Në këtë takim përshëndetën Imami i Xhamise në Staten Island z. Tahir Kuka fjalimi i të cilit ishte plot mesazhe bashkimi dhe të një oratori të shkëlqyer. Imami shqiptar nga Kosova është i zgjedhur si përfaqësuesi kryesor në policinë e Nju Jorkut, i detyrave islame ose siç njihet ndryshe NYPD Muslim Chaplin.
Nga salla u drejtuan shumë pyetje për Kryeministrin, meraku i të cilëve ishte lulëzimi i Atdheut të tyre dhe ndryshimet që duhet të sjellë z. Abazovic.
Në fund pjesëmarrësit bënë fotografi me kryeministrin dhe i uruan atij punë të mbarë në të mire të Kombit shqitpar.
Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent z.Qemal Zylo dhe kameraman Enes Basha. Së shpejti do të transmetohet në kanalet televizive.
26 Shtator, 2022
Staten Island, New York







