Moskë, 22 dhjetor 2024 – Presidenti rus Vladimir Putin e priti të dielën në Moskë kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico, i cili është ndër shtetarët e rrallë të vendeve të Bashkimit Evropian që kanë shkuar në Moskë që kur filloi agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për agjencinë ruse RIA se Fico mbërriti në Rusi për një “vizitë pune” dhe u takua me Presidentin Putin kokë më kokë, të dielën në mbrëmje.
Sipas Peskovit, bisedimet do të përqendroheshin në “situatën ndërkombëtare” dhe furnizimin e Sllovakisë me gaz natyror nga Rusia.
Vizitat dhe telefonatat e udhëheqësve evropianë me presidentin rus kanë qenë të rralla që kur Moska dërgoi trupa në Ukrainë. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ishte i fundit që shkoi në Rusi, në muajin korrik. Vizita e tij u kritikua ashopër Kievi dhe nga Brukseli.
Pikëpamjet e zotit Fico për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës bien ndesh me ato të udhëheqësve të tjerë evropianë. Fico u kthye në pushtet vitin e kaluar. Partia e tij e majtë Smer (Drejtimi) i fitoi zgjedhjet parlamentare me një platformë pro-ruse dhe anti-amerikane.
Që atëherë, ai ka e ndërprerë ndihmën ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën, i ka kritikuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe është zotuar se do ta bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Udhëheqësi sllovak ishte gjithashtu një nga politikanët e rrallë të lartë të BE-së që u shfaq në TV shtetëror rus pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Në një intervistë me kanalin Rossiya-1, në tetor, ai deklaroi se Perëndimi “e ka zgjatur luftën” në Ukrainë me mbështetjen që ia ka dhënë Ukrainës dhe me sanksionet kundër Rusisë, të cilat ai i ka cilësuar si joefektive.
Fico ka deklaruar se ai është i gatshëm të negociojë me Putinin për ndërprerjen e luftës dhe ka premtuar se do të marrë pjesë në paradën ushtarake që do të mbahet në Moskë majin e ardhshëm, në 80 vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Rusia e ka përdorur festën vjetore të “Ditës së Fitores” për të nxjerrë në pah aftësitë e saj luftarake.
(r.m.)