Romë, 14 korrik 2022 – Kryeministri italian Mario Draghi paraqiti të enjten dorëheqjen, por presidenti i vendit e refuzoi, duke i kërkuar zotit Draghi që të shikonte nëse mund të gjente një shumicë të mjaftueshme në parlament për ta mbështetur.
Kryeministri Draghi i kishte thënë kabinetit qeveritar se do t’i paraqeste presidentit dorëheqjen mbrëmjen e së enjtes, pas refuzimit nga një prej partive të koalicionit që të mbështesë një projektligj të qeverisë.
“Shumica e bashkimit kombëtar që mbështeti këtë qeveri nga krijimi i saj, nuk ekziston më”, tha zoti Draghi në një deklaratë të qarkulluar nga zyra e tij.
Është në kompetencat e Presidentit Sergio Mattarella që ta pranojë apo ta refuzojë dorëheqjen e kryeministrit. Por nëse kriza e qeverisjes nuk mund të zgjidhet me shpejtësi, Presidenti Mattarella mundet edhe të shpërndajë parlamentin, duke krijuar kështu kushtet për zgjedhje të parakohshme, ndoshta që në muajin shtator.
Kryeministri Mario Draghi arriti të fitojë përballë një votimi mosbesimi të enjten në senat, por e ardhmja e qeverisë së tij të unitetit të krijuar gjatë pandemisë u vu në provë pasi Lëvizja 5 Yjet bojkotoi votimin, duke e futur kështu koalicionin qeverisës në krizë.
Projektligji për të ndihmuar italianët që përballen me çmimet e larta të energjisë mori 172 vota pro dhe 39 kundër, por senatorët e Lëvizjes 5 Yjet munguan gjatë votimit, siç kishin deklaruar paraprakisht.
Mandati i parlamentit të tanishëm përfundon në pranverë të vitit 2023. Kur u emërua në detyrën e kryeministrit, ish-drejtuesi i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, u zotua ta nxjerrë Italinë nga pandemia e koronavirusit dhe të përgatisë terrenin për të shfrytëzuar miliarda euro fonde të Bashkimit Evropian për rimëkëmbjen nga pandemia. Lëvizja 5 Yjet i ishte bashkuar koalicionit për bashkimin kombëtar të zotit Draghi, në të cilin përfshihen parti nga e djathta dhe e majta.
(Zëri i Amerikës)