Tel Aviv, 17 qershor 2024 – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e shpërndau kabinetin e tij të luftës të hënën, tha një zyrtar izraelit, një vendim që pritej pasi ish gjenerali Benny Gantz, dha dorëheqje nga grupi javën e kaluar.
Ish gjenerali Gantz iu bashkua qeverisë së unitetit të kryeministrit Netanyahu në tetor, në fillim të luftës dhe kërkoi formimin e kabinetit të luftës. Pa zotin Gantz, kryeministri Netanyahu e shpërndau grupin.
Të dielën, ushtria izraelite njoftoi se do të fillonte një “pauzë taktike” 11-orëshe të bombardimeve të saj ndaj militantëve të Hamasit në Gazën jugore, për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare për palestinezët e uritur.
Të hënën, pauza dukej se po vazhdonte, pavarësisht disa luftimeve sporadike, sipas agjenicë së lajmeve France-Presse.
Izraeli tha se pauza në ofensivën e tij në Gazën jugore do të vazhdojë në të ardhmen e afërt dhe do të lejojë kamionët e ndihmave të arrijnë në vendkalimin Kerem Shalom të kontrolluar nga Izraeli, hyrja kryesore për ndihmat. Më pas kamionët mund të udhëtojnë në mënyrë të sigurt në një autostradë aty pranë për të shpërndarë ushqime dhe furnizime mjekësore në pjesë të tjera të Gazës.
“Pauza taktike” e shpallur nga ushtria vlen për rreth 12 kilometra rrugë në zonën e Rafahut, por është shumë larg një armëpushimi të plotë në Gaza, që komuniteti ndërkombëtar, përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara, po kërkojnë. Armëpushimi më i gjerë i propozuar do të ndalonte luftimet në të gjithë Gazën për gjashtë javë dhe bën thirrje për lirimin e më shumë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Por, nuk ka asnjë shenjë të ndonjë përparimi në bisedimet e ngecura të armëpushimit.
Në një shenjë tjetër se luftimet do të vazhdojnë, qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të dielën se do të zgjaste deri më 15 gusht, periudhën për financimin e hotelve për banorët e evakuuar nga qytetet kufitare izraelite jugore pranë Gazës.
Ndalimi i kufizuar i luftimeve, nëse vazhdon, mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej nevojave të domosdoshme të palestinezëve që janë rritur edhe më shumë javët e fundit me sulmin e Izraelit në Rafah.
Ushtria tha se pauza e së dielës, e cila filloi bashkë më kremtimet Gaza dhe gjetkë të festës së Kurban Bajramit, pasoi diskutimet me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.
(Zëri i Amerikës)