Moskë, 5 mars 2022 – Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka shkuar pa paralajmërin në Moskë ku është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ky është takimi i dytë që Putini zhvillon me ndonjë lider të huaj prej se forcat ruse nisën agresionin ndaj Ukrainës, dhjetë ditë më parë.
Bennet nuk u është bashkuar ende liderëve perëndimorë që e kanë dënuar agresionin rus nëUkrainë, me arsyetim se Izraeli ka lidhje të forta si me Moskën ashtu edhe Kievin.
Ukraina më herët i ka kërkuar Bennettit që të ndërmjetësojë bisedimet për krizën.
Vizita e Bennett në Rusi vjen në ditën e njëjtë kur Ukraina njoftoi se rundi i tretë i bisedimeve me Rusinë do të mbahet të hënën. Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për një marrëveshje armëpushimi dhe për korridoret humanitare.
Zyra e Bennett po ashtu ka bërë të ditur se pas takimit me Putinin, ai ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Kryeministri Naftali Bennett së fundmi ka biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin”, tha zyra e Bennnett.
Pas vizitës në Moskë, kryeministri izraelit është nisur drejt Berlinit, ku pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, gjë që ka shtyrë Perëndimin të vendosë sanksione të ashpra kundër Moskës zyrtare.
(REL)