Kryeministri Kurti niset për në Kroaci

Prishtinë, 25 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur të dielën drejt Kroacisë, pas aksidentit të autobusit në Sllavonski Brod, në të cilin e kanë  humbur jetën 10 persona dhe janë lënduar rëmdë e lehtë mbi 40 të tjerë.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se bashkë me Kurtin kanë udhëtuar edhe tre ministra dhe një zyrtar i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani.

“Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se në autobusin e aksidentuar të linjës së rregullt Frankfurt-Prishtinë gjendeshin 67 udhtarë. Shumica prej tyre kanë qenë duke ardhur nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh, ka thënë në vendin e aksidentit se, në autobus kanë qenë 15 të mitur, prej të cilëve, një vajzë e plagosur rëndë.

(r.m.)