Prishtinë, 21 shkurt 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar të hënën se ka nisur puna për rritjen e pagës minimale.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Kurti ka thënë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur projektligjin, i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.
“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.
Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky Këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, çka më pas kalon për miratim te Qeveria.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.
Radio Evropa e Lirë, më datën 15 shkurt, ka raportuar se ndonëse Qeveria e Kosovës ka premtuar rritje të pagës minimale, nuk ka ndërmarrë asnjë hap.
Kryeministri Albin Kurti katër muaj më parë ka premtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro.
Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Ajo është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të Punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja minimale e shpenzimeve jetësore.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kjo kosto është në rritje, së paku qysh vitin e kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor të vitit 2021 ka arritur në 6.9 për qind, nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Çmimet kanë vazhduar të shënojnë rritje edhe gjatë këtij muaji.
Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë kanë deklaruar se çmimet janë bërë pothuajse të papërballueshme.
Shoqëria civile në Kosovë ka mirëpritur paralajmërimin e kryeministrit Kurti për rritjen e pagës minimale.
“Në pako me rritjen e pagës minimale, të ketë rritje së paku prej 20 për qind deri 30 për qind edhe për sektorin publik, me theks të veçantë zyrtarët publikë, administratën gjyqësore, policinë, arsimin, shëndetësinë, zjarrfikësit, e të tjerët”, ka thënë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, përmes një postimi në Facebook.
(REL)