Kryeministri Kurti publikon draftin e vizionit të tij për Asociacionin

Prishtinë, 3 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar kornizën e parimeve për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky dokument, të cilin Kurti e ka prezantuar në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Joseph Borrell e Miroslav Lajçak, të martën, në Bruksel, bazohet në Nenin 7 të Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës e Serbisë, të arritur në Bruksel, në muajin shkurt.

Kurti ka thënë se vizioni i tij bazohet “në vlerat evropiane për trajtimin e komuniteteve”, prandaj ai duhet të merret parasysh nga ndërmjetësit e dialogut Kosovë-Serbi.

“Në vizionin e propozuar nga unë nuk e kam përmendur vetëm Kushtetutën e Kosovës, por edhe letrën e zonjës Mogerini, dërguar ish-kryeministrit të Kosovës në vitin 2015 ku thuhet se (në Kosovë) nuk bën të ketë nivel të tretë të pushtetit ekzekutiv”, ka thënë ai.

Kurti e ka hedhur poshtë kategorikisht draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga Ekipi Menaxhues, të prezantuar në takimin e djeshëm në Bruksel. Ai ka thënë se ai draft shpërfaq synimin e Serbisë për krijimin e “një Republika Srpska” në Kosovë.

“Sot, Ekipi menaxhues prezantoi draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ata janë jonfunksionalë tashmë. Unë fundamendalisht nuk pajtohem me draftin. Ai e përfaqëson dëshirën për një Republika Sërspka në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ai e ka publikuar faksilimin e vizionit të tij për implementimin e nenit 7 të Marrëveshjes bazë për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”.

Kurti e ka publikuar në Twitter versionin anglisht të draftit që e ka prezantuar të martën në Bruksel. Versioni në shqip është përkthim jozyrtar i dokumentit.

 (r.m.)