Zagreb, 10 prill 2025 – Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka dënuar dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia dhe ka kërkuar sqarim nga autoritetet në Beograd.
“Dëbimi i qytetarëve kroatë nga Serbia është një praktikë e papranueshme që duhet të dënohet, me insinuatën se qytetarët tanë po ndërhynin në çështjet e brendshme të Serbisë, gjë që nuk qëndron”, tha Pllenkoviq gjatë një mbledhjeje të Qeverisë kroate më 10 prill.
Ai tha se Kroacia kërkon “sqarim nga autoritetet në Serbi” dhe shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar Beogradit një notë proteste për këtë çështje.
Pllenkoviq tha se partnerët e Kroacisë në Bashkimin Evropian janë informuar për këtë situatë.
Shtetases kroate, Arien Stojanoviq-Ivkoviq, që ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ka punuar dhe është martuar e ka krijuar familje në Serbi, i është mohuar qëndrimi nga autoritetet serbe pas 12 vjetësh jetese në Beograd. Ajo është dëbuar nga Serbia dhe i është ndaluar që të hyjë në këtë shtet për një vit.
Më 8 prill, policia ia dorëzojë vendimin për heqjen e lejes – që ishte miratuar më herët – të qëndrimit në Serbi dhe ndalesës për hyrje në këtë shtet.
Shkaqet e këtij vendimi nuk u bënë publike, por Stojanoviq-Ivkoviq tha se kjo mund të jetë për shkak të mbështetjes së saj për studentët, të cilët kanë protestuar në Serbi për muaj të tërë.
Ambasadori kroat në Serbi, Hidajet Bishçeviq, u tha mediave në Serbi se në tre ditët e fundit ka pranuar informacione lidhur me dëbimin e tre shtetasve kroatë nga Serbia, përfshirë kreun e Dhomës kroate të Tregtisë.
Dëbimet e fundit janë pjesë e një serie të dëbimeve të shtetasve kroatë nga Serbia. Nën pretekstin se paraqesnin kërcënim të sigurisë, në janar të vitit 2025, pjesëmarrës në një punëtori të organizuar nga Fondacioni Erste në Beograd u dëbuan nga Serbia.
Për më tepër, udhëheqja shtetërore serbe e ka akuzuar Kroacinë se përmes shërbimeve sekrete dhe protestave studentore po përpiqet të rrëzojë pushtetin në Serbi.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të dhjetorit 2024, foli për ndikimin e agjencisë kroate të inteligjencës në sektorin joqeveritar në Serbi, duke thënë se e gjithë kjo mbështetet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë perëndimore të inteligjencës, si nga Evropa ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Vuçiq nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këto pretendime.
Në Serbi, prej muajsh po mbahen protesta dhe bllokime fakultetesh, teksa studentët po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.