Beograd, 7 tetor 2024 – Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se vendimi i Kosovës për heqje të ndalesës për mallrat e Serbisë në Merdar, e ka larguar tensionin që ka ekzistuar për kohë të gjatë, dhe që gjëja më e rëndësishme tani është që serbët të mund të pranojnë me rregull furnizimet ushqimore, dhe ilaçet.
Ai ka thënë se mbështet secilin veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë.
“Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Vuçeviq nga Shkupi.
Oda Ekonomike e Serbisë në disa raste i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë “bllokadat e dëmshme” që po shkaktojnë pasoja si për kompanitë serbe ashtu edhe për ato kosovare.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, biznesmenë nga veriu i Kosovës kanë dorëzuar një peticion tek autoritetet kosovare duke kërkuar që të tërhiqen masat e qeverisë për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
Bashkimi Evropian ka thënë se masat e autoriteteve të Kosovës janë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.
Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.
Kryeministri i Kosovës. Albin Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.
(r.m.)