Kryeministri serb e priti ministrin rus që është nën sanksionet e Perëndimit

Beograd, 25 tetor 2024 – Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka pritur të premten në Beograd ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

Zyra e Vuçeviqit bëri të ditur se në takim është biseduar “për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve”. Ai ka theksuar se biseda telefonike e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit rus Vladimir Putin, “përbën vrull të ri në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”.

Vuçeviq, duke folur për sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, ka thënë se Serbia “përkundër presioneve të mëdha udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur” dhe se ka bashkëpunim të mirë si me Rusinë ashtu edhe me Bashkimi Evropian, me Kinën dhe me vende të tjera.

Vuçeviq e ka falënderuar Rusinë që e ftoi Serbinë të marrë pjesë në samitin e BRICS, grupit të vendeve që të konkurrojnë grupin e vendeve më të zhvilluara të botës, të inicuar nga Rusia, Kina dhe India.

Reshetnikov nga ana e tij citohet të ketë thënë se Moska “e çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj që të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.

(r.m.)