Romë, 20 tetor 2023 – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të premten se ishte ndarë nga partneri i saj Andrea Giambruno, i cili punon si gazetar televiziv, e që javët e fundit është kritikuar për komente seksiste.
Muajin e kaluar zonja Meloni u tha gazetarëve se ajo nuk duhet të gjykohet për komentet e partnerit të saj dhe në të ardhmen nuk kishte ndërmend t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me sjelljen e tij.
Ndarja vjen ndërsa kryeministrja 46-vjeçare feston vitin e saj të parë në detyrë, në krye të një qeverie koalicioni të krahut të djathtë, që mbrotjen e familjes tradicionale, e ka një nga shenjat dalluese të politikës së saj.
“Marrëdhënia ime me Andrea Giambrunon, e cila zgjati gati 10 vjet, përfundon këtu”, shkruante zonja Meloni në llogaritë e saj në rrjetet sociale. “Rrugët tona kanë ndryshuar prej disa kohësh dhe ka ardhur momenti ta pranojmë një gjë të tillë”, shtoi ajo.
Zonja Meloni tha se nuk do të shpërqendrohej nga vështirësitë në jetën e saj private, duke shtuar se “të gjithë ata që shpresonin ta dobësonin duke më goditur në punët e saj të brendshme”, nuk do të kishin sukses.
Anketuesi Antonio Noto thotë se kjo lëvizje ndoshta do të përmirësonte pozitën e zonjës Meloni në sytë e shumicës së elektoratit.
“Me atë që bëri sot ajo ka krijuar ndoshta një lidhje më të fortë me italianët”, tha ai, duke vënë në dukje se shumica e komenteve në rrjetet sociale kanë qenë në favor të saj.
Zonja Meloni dhe zoti Giambruno, të cilët u njohën në një studio televizive në vitin 2014, kanë një vajzë shtatëvjeçare.
Zoti Giambruno, 42 vjeç, është prezantues i një programi që transmetohet në rrjetin televiziv ‘Mediaset’, pjesë e grupit mediatik në pronësi të trashëgimtarëve të të ndjerit Silvio Berlusconi, ish-Kryeministër dhe aleat i zonjës Meloni.
Këtë javë, një tjetër program televiziv satirik që trajton çështje aktuale në Mediaset transmetoi pamje video ku shfaqej zoti Giambruno duke përdorur gjuhë vulgare ndaj një kolegeje grua, duke u vetëprekur, e duke flirtuar me të, ndërsa e pyeste në mënyrë retorike: “Pse nuk të kam takuar më parë?!.
Në një regjistrim të dytë audio të transmetuar të enjten, ai dëgjohej tek thoshte se kishte një marrëdhënie me dikë si dhe duke u thënë kolegeve gra, se mund të punonin me të vetëm nëse përfshiheshin “në marrëdhënie seksuale” në grup.
Gazetari televiziv u kritikuar gjerësisht në muajin gusht për komentet që u interpretuan nga shumë si fajësim i viktimave, pas një rasti përdhunimi në grup.
Vetë zoti Giambruno nuk ka bërë ende ndonjë koment mbi këtë çështje. Mediaset tha më vonë të premten se ai kishte rënë dakord me kompaninë që të mos ishte pjesë e programit javën e ardhshme.
Një person që ka dijeni mbi këtë çështje tha se ‘Mediaset’ po shqyrtonte nëse gazetari kishte shkelur kodin e brendshëm të sjelljes.
Marco Furfaro i Partisë Demokratike të opozitës tha se komentet e Giambrunos ishin “shovinizëm dhe seksizëm i pastër… pisllëk i pakomentueshëm”.
(Zëri i Amerikës)