Kryeministrja finlandeze: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do të fuqizonte agresorët

Kanbera, 2 dhjetor 2022 – Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka paralajmëruar audiencën australiane të premten se fitorja e Rusisë në Ukrainë mund të fuqizojë agresorët tjerë, dhe u ka bërë thirrje demokracive kundër krijimit të varësisë ndaj shteteve autoritare sikurse Kina.

Marin i ka bërë këto deklarata në Sidnej në fund të vizitës së parë në Australi dhe Zelandë të Re.

Mundësia e marrëveshjes për tregti të lirë ndërmjet Australisë dhe Bashkimit Evropian, ka qenë po ashtu në agjendë të diskutimit.

Ajo e ka shfrytëzuar fjalimin për t’iu bërë thirrje demokracive që të rrisin sanksionet kundër Rusisë.

“Mos harroni, nëse Rusia e fiton këtë luftë të tmerrshme, nuk do të jetë e vetmja që do të ndihet më e fuqizuar”, ka thënë Marin në institutin ndërkombëtar, Lowy.

“Edhe të tjerët do të tundohen nga një agjendë e tillë e errët”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje për tregti mes BE-së dhe Australisë është mundësi për të zhvilluar zinxhir të fortë të furnizimit.

“Ne jemi bërë shumë të varur ndaj bashkëpunimit me regjimet me vlera tjera prej tonave”, ka thënë Marin, duke e përmendur varësinë ndaj energjisë ruse.

“Varësitë tona po bëhen dobësitë tona dhe ato i kemi në sektorë shumë të rëndësishëm të shoqërisë sonë”, ka shtuar ajo.

Ajo e ka përshkruar tregtinë me Kinën si “realitet”.

“Ne jemi shumë të shqetësuar kur është fjala për Kinën dhe duhet të sigurohemi që nuk kemi varësi të mëdha kur është fjala për të”, ka thënë Marin.

“Ne nuk mund të bëhemi shumë të varur, shembull, në mikroçipa apo teknologji tjetër kritike kur është fjala për regjimet autoritare, sepse nëse këto rrugë tregtare bllokohen papritur, atëherë neve na krijohen telashe”, ka shtuar ajo.

Marin është takuar me vonë me kryeministrin australian, Anthony Albanese, në rezidencën e tij në Sidnej.

Palët kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke thënë se bisedimet e tyre “kanë vënë në pah nevojën për të forcuar bashkëpunimin”.

Kryeministrat “kanë thënë se menaxhimi i zinxhirëve të furnizimit, burimet e energjisë dhe investimi në teknologji kritike është shumë i nevojshëm për të promovuar stabilitet ekonomik, politik, në fushën e ambientit dhe atë të të drejtave të njeriut”.

Australia, shteti që më së shumti i ka ndihmuar Ukrainës pas NATO-s dhe Finlanda, shtet që pritet të bëhet anëtare e aleancës dhe ndan një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë, i kanë kërkuar Moskës që menjëherë t’i tërheqë trupat e saj ushtarake nga Ukraina.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të këtij viti.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

(REL)