Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq thotë se është e gatshme të japë dorëheqje

Beograd, 7 qershor 2023 – Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se është e gatshme të japë dorëheqje nga kjo pozitë.

“Jam e gatshme dhe llogarisni se mund ta keni dorëheqjen time”, ka thënë ajo, gjatë një fjalimi publik, së bashku me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bërnabiq ka thënë se vendimin për dorëheqjen e saj nga kreu i qeverisë ia ka lënë në dorë Presidentit Vuçiq. Ajo ka thënë se mendon se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare deri në fund të vitit është zgjidhje për krizën që e ka përfshirë vendin.

Në muajt e fundit, në Serbi janë mbajtur disa protesta të thirrura nga një pjesë e opozitës, e cila shpreh pakënaqësinë e një numri të madh qytetarësh me reagimin e Qeverisë së Serbisë pas dy rasteve të vrasjes masive që lanë të vrarë 18 persona, në muajin maj.

Bërnabiq ka thënë se ka kryer detyrat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se rezultatet e ekzekutivit të saj janë të padiskutueshme.

“Jo gjithçka ishte perfekte, por ne bëmë më të mirën dhe mendoj se kemi rezultate që çdo qytetar, nëse është i sinqertë, mund të krenohet me to”, ka thënë ajo.

Ndërsa Presidenti Vuçiq ka thënë se është e sigurt se në Serbi do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ka shtuar se tash për tash nuk mund të thotë se kur do të mbahen ato.

Vuçiq e ka përjashtuar mundësinë e formimit të një qeverie të përkohshme dhee kaftuar edhe një herë opozitën për të biseduar.

“Besoj se do të gjejmë bashkëbisedues. Nëse kjo nuk ndodh, do të shkojmë në zgjedhje, por Qeveria nuk do të zgjidhet në rrugë dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore”, ka thënë Vuçiq.

Ana Bërnabiq ka marrë mandatin për udhëheqjen e Qeverisë së Serbisë vitin e kaluar. Me rastin e mandatimit të saj, presidenti  Vuçiq kishte thënë se Bërnabiq nuk do të qëndronte në këtë post deri në fund të mandatit ligjor, sepse  në vitin 2024 do të kishte ndryshime në kabinetin qeveritar dhe në krye të tij.

(r.m.)