Prishtinë, 11 nëntor 2021 – Javën e ardhshme, në Bruksel, do të zhvillohet takimi i radhës në kuadrin e dialogut Kosovë – Serbi në nivel teknik. Takimi, i cili do të zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve, do të mbahet të martën, më 16 nëntor.
Kajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021, në Bruksel, në nivel kryenegociatorësh”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.
Ai ka bërë të ditur ne në këtë takim pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, për energjinë dhe për lëvizjen e lirë.
“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, ka thënë Kryeziu.
Pak ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur insistimin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Madje, ai ka paralajmëruar edhe tërheqjen nga dialogu, në qoftë se Kosova nuke formon Asociacionin siç është negociuar në Bruksel, më 2013.
“Kosova do ta formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel ose “Faleminderit. Ju punën tuaj, ne punën tone.Ndoshta takohemi një ditë”, është shprehur Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, kanë thënë se në Kosovë nuk do të formohet një asociacion që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013. Dy vjet më vonë, midis dy vendeve ishte nënshkruar një marrëveshje shtesë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se disa prej parimeve të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por ka lënëtëhapur mundësinë që ato të evitohen gjatë hartimit të Statutit të Asociacionit.
(r.m.)