Podgoricë, 5 prill 2021 – Prokuroria Themelore në Podgoricë ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Themelore të këtij qyteti aktakuzë kundër kryetarit të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj. Ai akuzohet për kryerje të veprës penale “thirrje për rezistencë“.
Prokuroria ka ngritur aktakuza edhe kundër kryeshefit të Policisë Komunale, Rexhep Çunmulaj, dhe policit komunal me inicialet E.M.
Të tre akuzohet lidhur me ngjarjet e 24 dhe 25 shkurtit të këtij viti në Tuz, ku ka pasur protest kundër mbylljes së lokaleve të gastronomisë.
“Gjeloshaj akuzohet se u ka bërë thirrje qytetarëve të rezistojnë dhe të mos i binden vendimit të ligjshëm të organit shtetëror dhe të një zyrtari në kryerjen e veprimit zyrtar, si rezultat i të cilit vendimi i ligjshëm i organit shtetëror nuk u zbatua, sepse më 24 shkurt, ai organizoi takim me pronarët e objekteve të hotelerisë nga Tuzi dhe u bëri thirrje, të hapin objektet e tyre, gjë që pronarët e bënë ditën e nesërme, në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ndalonte punën e objekteve hoteliere”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë.
Rexhep Çunmulaj dhe E.M akuzohen se kanë ndihmuar zotin Gjeloshaj, në bllokimin e rrugës Podgoricë-Tuz-Hani i Hotit.
Sipas njoftimit të prokurorisë, ata i kishin parkuar në rrugë automjetet zyrtare të policisë komunale dhe kështu e kanë penguar ndjeshëm zbatimin e planit të veprimit të pjesëtarëve të policisë nga Drejtoria e Policisë së Podgoricës, të cilët ishin të angazhuar për respektimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e lokaleve hoteliere në Tuz.
Pronarët e bizneseve të gastronomisë dhe qytetarët e Tuzit kanë kundërshtuar mbylljen e lokaleve, duke e cilësuar atë si të pajustifikueshme, për shkak se numri i të infektuarve nga COVID në komunën e Tuzit ishte më i vogël se në disa qytetate të tjera të Malit të Zi ku kishte më shumë raste të infektimit.
(r.m.)